Bota Pas 111 vitesh, shtatorja e gjeneralit të Konfederatës amerikane hiqet nga Kapitoli

Pas 111 vitesh, shtatorja e gjeneralit të Konfederatës amerikane hiqet nga Kapitoli

Shtatorja e gjeneralit të Konfederatës, Robert E. Lee, i cili ka përfaqësuar shtetin e Virxhinias në godinën e Kongresit amerikan për 111 vite, është hequr për t’u zëvendësuar nga aktivistja e të drejtave të njeriut, Barbara Johns.

Guvernatori Ralph Northam, tha se ky veprim u bë pas kërkesës së shtetit, sepse Lee nuk konsiderohej më përfaqësues i denjë. Shtatorja e tij qëndronte pranë asaj të figurës së George Washington prej vitit 1909, si dy përfaqësuesit e shtetit të Virxhinas.

Barbara Johns

Barbara Johns vlerësohet si pioniere e të drejtave të njeriut, pasi në vitin 1951 protestoi për kushtet e shkollës së mesme ku studionte, që frekuentohej vetëm nga persona afro-amerikanë. Çështja e saj shkoi në Gjykatën Supreme dhe luajti rol në vendimin për t’i dhënë fund ndarjes racore në shkollat publike amerikane. “Konfederata është simbol i të kaluarës raciste dhe separatiste të Virxhinias”, tha Guvernatori në një deklaratë.

Robert Edward Lee ishte një ushtarak amerikan, i cili shërbeu si Gjeneral i ushtrisë së Konfederatës në Luftën Civile Amerikane. Ai komandoi ushtrinë e Virxhinas së Veriut nga viti 1862, deri në dorëzimin para Gjeneralit Ulysses Grant në vitin 1865. Ai pranoi shfuqizimin e ligjeve të skllavërisë në SHBA, por ishte kundër barazisë racore. Pas vdekjes u shndërrua në një ikonë të kulturës dhe historisë së Jugut amerikan.