Aktualitet Pasuria u “ha kokën” 3 gjyqtarëve, njëri prej tyre liroi Lulzim Berishën

Pasuria u “ha kokën” 3 gjyqtarëve, njëri prej tyre liroi Lulzim Berishën

Në një hark kohor prej 30 minutash, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra tre gjyqtarë të Apelit.

Tritan Hamitaj, gjyqtar në gjykatën e Apelit në Durrës,  ishte i pari që u përballë me komisionin këtë të enjte. Sipas komisionerëve ai nuk ka justifikuar një shumë prej 2.5 milionë lekësh  të cilat sipas tij i janë dhënë hua të afërmve. Gjithashtu u konstatua një apartament dhe një garazh në Durrës, që duke u bazuar tek deklarimet e gjyqtarit nuk i justifikonte.

Hamitaj është gjyqtari që ka liruar nga burgu, ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ndërsa ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Edhe Arjan Qafa, gjyqtar në gjykatën administrative të Apelit, është shkarkuar nga detyra pasi komisionerët vërejtën probleme me pasurinë e bashkëshortes së tij. Në vitin 2008 bashkëshortja e Qafës deklaroi për herë të parë pasurinë me vlerë 70 mijë euro të akumuluar ndër vite, por të ardhurat e deklaruara nuk e justifikonin këtë shumë.

Edhe Fjoralba Prifti, gjyqtare në gjykatën administrative te Apelit, është shkarkuar nga detyra pasi nuk mund të justifikonte një pasuri me vlerë 78 500 euro si dhe një apartament banimi i blerë në vitin 2004.