Aktualitet Patentat shqiptare njihen edhe në Turqi, marrëveshje Tiranë-Ankara

Patentat shqiptare njihen edhe në Turqi, marrëveshje Tiranë-Ankara

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim homologun turk, Mevlüt Çavuşoğlu me te cilin firmosi edhe tre marrëveshje të rëndësishme. Mes tyre edhe dokumenti mes dy vendeve për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit.

Takimi kishte gjithashtu në fokus diskutime edhe në fusha me interes të përbashkët, si: avancimi i mëtejmë i marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes dy vendeve, rëndësia e përmirësimit të cilësisë së bashkëpunimit rajonal dhe thellimi i ndërveprimit në organizata shumëpalëshe.

Cakaj i shprehu mirënjohjen e tij absolute homologut turk, për mbështetjen e pakursyer e solidaritetin e plotë që Qeveria turke ka dhënë për Shqipërinë, që prej orëve të para pas goditjes së tërmetit dhe në vazhdimësi. Ai shprehu vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë edhe për Kosovën në kuadër të procesit të forcimit të pozicionit ndërkombëtar dhe anëtarësimit të organizatave shumëpalëshe.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve tona janë të rrënjosura jo vetëm në lidhjet historike por edhe të mirë-vendosura në një rrafsh ndërveprimi intensiv dypalësh, bashkëpunimi konstruktiv në organizata ndërkombëtare e partneritet të qëndrueshëm në NATO”, theksoi Cakaj në fjalën e tij.

Marrëveshja e dytë

Dokumenti i dyte i firmosur ishte edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Akademive Diplomatike për Shkëmbimin e Diplomatëve, që do të shërbejë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes dy vendeve.

Marrëveshja e tretë

Po ashtu u firmos edhe ‘deklarata e përbashkët’ ndërmjet dy ministrive që do të shërbejë për rritjen e përpjekjeve e bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, dhunës ekstreme dhe terrorizmit.