Politika Pëllumb Xhufi, një pikë referimi për historiografinë e ndërlikuar të Shqipërisë mes...

Pëllumb Xhufi, një pikë referimi për historiografinë e ndërlikuar të Shqipërisë mes Perëndimit e Lindjes

Nga Edi Rama

PËLLUMB XHUFI, që mbush sot plot 69 vjet të padukshme në portretin e tij prej djaloshi të thinjur, hyn padyshim ndër ata pak mjeshtra të penës shqipe në lëmin e historisë, të cilët kanë vizatuar me përkushtim e kompetencë të spikatur rrugët e njohjes së të shkuarës së ngatërruar të këtij vendi.

Ai është një pikë referimi për historiografinë e ndërlikuar të Shqipërisë mes Perëndimit e Lindjes dhe kontekstualizimin në këto dy botë të gjenezës historike dhe përkatësive të disafishta të kombit shqiptar. Njohës rigoroz i gjuhëve dhe paleografive të vjetra padyshim, por edhe njohës i ditur dhe vëzhgues i mprehtë i skutave të labirinthit të diplomacisë në gjatësinë e disa shekujve, Pëllumb Xhufi ka një aftësi jo të zakonshme ndër historianët të të treguarit të së shkuarës me gjuhën e të tashmes. Përmes një pedagogjie të kuptueshme në përcjelljen e hulumtimeve të tij të thella, ai u jep bashkëkohësve pika referimi për të kuptuar dinamikën e “lojës” diplomatike, sidomos në momentet kur e shkuara ngre krye si aktualitet i debatueshëm në rrugën tonë.

“Përkthyes” i palodhur i dilemave të Arbërit, Pëllumb Xhufi është mbresëlënës në interpretimin e rebuseve të historive të vogla të Ballkanit, të njerëzve, komuniteteve, ngjarjeve të kohëve deri edhe shumë të shkuara, duke na e lehtësuar vështrimin përtej mjegullave të pandara ballkanike, të cilat vazhdojnë të ushqejnë gjithëfarë gjysëm të diturish e sharlatanësh në mexhelisin e zhurmshëm shqiptar, ku politika e ka dhunuar rëndom shkencën e historisë dhe ku pseudoshkenca e ka ushqyer rëndom politikën. Ai di të na e tregojë me goxha saktësi vendin që zënë bijtë e shqipes në historinë e tyre, në historinë e rajonit a të botës me të cilën u përzien, ata më të moçmit e ata më të afërtit me ne në kohë. Dhe më e pakta që mund të thuhet është që kjo nuk është pak, sidomos po të mbash parasysh pazarin e gjullurdisshëm të historiografisë shqiptare të dekadave që pasuan periudhën e gjatë e të zymtë, të historisë së shkruar sipas qejfit nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. “Arbërit e Jonit”, “Shekulli i Voskopojës”, “Ikje nga Bizanti”, “Nga Paleologët te Muzakajt”, apo “Skënderbeu: Ideja dhe ndërtimi i Shtetit”, e të tjera akoma, përbëjnë një afresk të hatashëm në kapelën e tempullit të brishtë të historiografisë shqiptare.

E fundit po jo për nga rëndësia, personaliteti i Pëllumb Xhufit, meriton respekt edhe për tiparin e konseguencës qytetare, të cilin as politika aktive ku ai u përfshi për disa vite me instinktin e patriotit dhe me edukatën e shërbëtorit publik, nuk e zbehu dot. Duke i uruar ditëlindjen dhe duke uruar që të tjera pjesë t’i shtohen afreskut mjeshtëror që ai ka krijuar, uroj me këtë rast që më të rinjtë në moshë e ata të paktit prej vërteti në rrugën e ndërlikuar të Albanologjisë e të shkencave humane, të ndjekin shembullin e çmuar të këtij djaloshi me thinja.