Sport “Prisni 90 ditë”, Aguerro reagon pas lajmit se mund të tërhiqet nga...

“Prisni 90 ditë”, Aguerro reagon pas lajmit se mund të tërhiqet nga futbolli

Sergio Aguero mund të detyrohet që të tërhiqet nga futbolli. Lajmin e jep “Catalunya Radio”, sipas së cilës, sulmuesit argjentinas të Barcelonës i është thënë se problemi me zemrën që pati nuk është aspak i lehtë.

Aritmia që vuan Aguero mund të mos e lejojë më që të luajë futboll. 33-vjeçari la fushën e lojës ndaj Alaves, duke vënë dorën në gjoks e duke kërkuar ndihmën e mjekëve.

Pas këtij lajmi, Kun Aguero ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke mohuar zërat mediatikë se do të detyrohet të tërhiqet nga futbolli.

Sulmuesi argjentinas, që mbërriti verën e këtij viti te Barcelona si lojtar i lirë, ka postuar pak fjali, si përditësim të gjendjes së tij shëndetësore: “Nisur nga thashethemet, ju informoj se jam duke ndjekur indikacionet e mjekëve të klubit, duke bërë analizat dhe trajtimin e duhur. Do ta shoh ecurinë time brenda 90 ditëve. Gjithmonë pozitiv”.

Barcelona njoftoi më 2 nëntor se sulmuesi pati një problem kardiak dhe do të qëndronte larg fushave të lojës për 3 javë.

Aguero do t’i nënshtrohet vizitave të tjera muajt e ardhshëm, por “Radio Catalunya” nënvizon se në klub nuk janë optimistë.