Bota “Putin nuk është Rusia”, Navalny bën thirrje nga burgu për protesta masive

“Putin nuk është Rusia”, Navalny bën thirrje nga burgu për protesta masive

Kreu i opozitës ruse Alexei Navalny ka postuar një seri mesazhesh të forta Twitter duke bërë thirrje për demonstrata të përditshme në të gjithë Rusinë dhe më gjerë.

Navalny ndodhet prej një viti në burg pasi i mbijetoi një sulmi helmues për të cilin fajëson Kremlinin. Muajin e kaluar ai doli në gjyq me akuza të reja që mund të rrisin dënimin e tij me burg për më shumë se një dekadë.

“Ne, Rusia, duam të jemi një komb i paqes. Mjerisht, pak njerëz do të na quajnë kështu tani”, shkruan ai nga burgu i sigurisë së lartë në lindje të Moskës ku është i burgosur.

Por rusët duhet “të paktën të mos bëhen një komb njerëzish të frikësuar të heshtur” që “bëjnë sikur nuk e vënë re luftën”, thotë Navalny.

“Është dekada e tretë e shekullit të 21-të dhe ne po shohim lajme rreth njerëzve që digjen në tanke dhe shtëpi të bombarduara. Ne po shohim kërcënimet reale për të nisur një luftë tjetër bërthamore”, shprehet kryeopozitari rus.

Rusët në radhë para bankomateve, frikë nga ezaurimi i parave

Banorët e Moskës mbajtën radhë të gjata përpara bankomateve ditën e martë, në një kohë kur pasiguritë financiare të shkaktuara nga sanksionet e Perëndimit për shkak të pushtimit të Ukrainës po rriten.

Njerëzit nxituan të tërheqin paratë e thata pasi valuta vendase, rubla, ra në minimumin historik ditën e hënë, duke humbur një të tretën e vlerës.

Banorë të Moskës të intervistuar nga agjencia e lajmeve “Reuters” deklaruan se u përpoqën të tërhiqnin para nga bankomate të ndryshme, por nuk kishin pasur sukses.

“Jemi të shqetësuar se së shpejti nga bankomatet nuk do të dalin më para. Ndoshta nuk do të ndodhë, por nuk jemi të sigurt. Është diçka që ka ndodhur më parë, ndaj njerëzit kanë frikë dhe mbajnë radhë”, shprehet një qytetar.

Të tjerë u shprehën të shqetësuar se shteti do të ngrijë kursimet e tyre.

“Kam frikë se qeveria do të na përvetësojë të gjitha paratë, se kartat bankare do të ngrijnë. Kam kontrolluar vende të ndryshme, duke pritur në radhë për të dytën ditë rresht. Nuk kam tërhequr dot euro, ndaj jam shumë e shqetësuar. Më duhen para’ të thata”, tha një qytetare.

Bursat e Moskës qëndruan të mbyllura ditën e martë për të dytën ditë rresht. Sanksionet e njoftuara nga Perëndimi variojnë nga kufizimi i kapaciteteve të Bankës Qendrore Ruse për të përdorur arin dhe rezervat e saj, deri tek përjashtimi i bankave të mëdha ruse nga tregjet financiare ndërkombëtare. Masat bënë që banka qendrore të dyfishonte normat e interesit në 20 për qind për të luftuar inflacionin.

Qytetarët rusë i kanë përjetuar tashmë efektet e sanksioneve. Klientët e bankave të prekura nuk mund të përdorin as shërbimet ApplePay dhe GooglePay. Gjithashtu, metroja e Moskës njoftoi pasagjerët për probleme të mundshme me pagesat pa kontakt për udhëtime dhe u kërkoi pasagjerëve të përdorin kartat bankare.