Bota Putin përgënjeshtron akuzat e Navalny: Ky pallat nuk është i imi

Putin përgënjeshtron akuzat e Navalny: Ky pallat nuk është i imi

Presidenti rus Vladimir Putin përgënjeshtroi pretendimet se ai zotëron një kompleks luksoz në Detin e Zi.

Udhëheqësi rus tha në një intervistë me video-telefonatë se kompleksi, të cilin grupi hulumtues i opozitarit të arrestuar Alexei Navalny e ka publikuar me një video në YouTube, nuk është i tiji apo të afërmve të tij dhe se e gjitha është një manipulim.

Ekipi hulumtues i Navalny-it ka pretenduar se kompleksi është ndërtuar për Putinin si shpërblim i një skeme korrupsioni. Pas rreth një jave postuar në Youtube, videoja ka marrë mbi 90 milionë shikime.

Në videon e gjatë rreth dy orë me materiale shpjeguese, publikuar dy ditë përpara kthimit të Navalny-it në Moskë, pretendohet se kompleksi luksoz ka kushtuar rreth 1.1 miliardë euro dhe është paguar “me ryshfetin më të madh të të gjitha kohërave”.

Praktikisht një nga komplekset më luksoze në botë, ndërtesa pranë bregut të Detit të Zi ka rreth 7,800 hektarë tokë dhe përfshin edhe një kishë, amfiteatër, shtëpizë për çaj dhe një pistë helikopterësh.

Përmes kësaj videoje aktivistë dhe përkrahës të Alexey Navalny-it kanë nxitur vijimin e protestave kundër udhëheqjes së Vladimir Putinit.

I pyetur për këto manifestime, Presidenti rus është shprehur se “të gjithë kanë të drejtë të shprehin opinionet e tyre, por gjithçka ka një kufi”.

Rreth tremijë persona u arrestuan të shtunën pas dhjetëra protestave që zunë në disa vende të Rusisë pas arrestimit të Alexey Navalny-it.

Opozitari i Putinit, i cili vuajti disa javë në koma pasi u helmua me agjent kimik, është arrestuar pas shkeljes së një dënimi të mëparshëm me detyrim paraqitjeje, dënim që Navalny e ka konsideruar si politik.