Ekonomi Qeveria miraton projektbuxhetin 2024: Pagat bëhen 900 euro, rriten fondet për ushtrinë...

Qeveria miraton projektbuxhetin 2024: Pagat bëhen 900 euro, rriten fondet për ushtrinë dhe bashkitë

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot projektbuxheti 2024. Buxheti do të kalojë të ardhura mbi 7 miliardë euro, mbi një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm.

Sipas Ministrit të Financave, brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.

Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin para-universitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore.

Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.

Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ.

Respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë.

Rritet ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qendrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë.