Aktualitet Ra në humnerë në zonën e Valbonës, humb jetën turisti 30-vjeçar. Plagoset...

Ra në humnerë në zonën e Valbonës, humb jetën turisti 30-vjeçar. Plagoset 29-vjeçarja

Një turist gjerman humbi aksidentalisht jetën këtë të martë në alpet e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një djalë 30-vjeçar, i cili rrëshqiti në humnerë teksa eksploronte zonën e Valbonës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesditës. Fillimisht u raportua se dy turistë gjermanë kishin humbur në këtë zonë. Pas disa orë kërkimesh, policia tha se kishte mundur të nxirrte nga humnera trupin e pajetë të 30-vjeçarit. Ndërsa turistja tjetër që ndodhej me të mbeti e plagosur dhe u dërgua me helikopter drejt spitalit të Bajram Currit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, pas disa orësh kërkime, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”. Nga deklarimet paraprake të njërës prej turistëve, shtetases M. S., 29 vjeçe, rezulton se ajo po eksploronte zonën e Valbonës, së bashku me një turist tjetër, shtetasin D. J., 30 vjeç, i cili duke u ngjitur në një shkëmb të thepisur, me dëborë, ka rrëshkitur dhe ka rënë në humnerë, për pasojë ky shtetas ka humbur jetën.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë është bërë e mundur nxjerrja nga humnera e trupi të pajetë të shtetasit D. J. Ndërsa shtetasja M. S. po transportohet me helikopter, në spitalin e Bajram Currit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave”, tha Policia në një njoftim për ngjarjen.