Politika Rama flet për vaksinën: Është bërë si radha e qumështit e kohës...

Rama flet për vaksinën: Është bërë si radha e qumështit e kohës së dikurshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po punon çdo ditë për sigurimin e dozave të vaksinës, por, sipas tij, “tjetër gjë është ajo çfarë thuhet e komentohet nëpër media dhe tjetër është realiteti i situatës me vaksinën”.

Kreu i qeverisë theksoi se, “shifra e vaksinave që po marrin vendet e mëdha krahasuar me pritshmëritë e tyre janë jashtëzakonisht të ulëta”, por shtoi se vendi ynë do të nisë vaksinimin në fillim të vitit të ardhshëm.

“Problemi është që kërkesa është shumë më e lartë sesa oferta dhe sasia e prodhimit është ku e ku më e vogël sesa nevoja. Ky është një problem i madh në fazën e parë.

E dyta, në SHBA është vendosur ndalimi i eksportit të çdo sasie dhe sasinë kryesore të Pfizer e ka SHBA-ja. Nuk del asnjë dozë për vendet e tjera nga SHBA-ja.

E treta, jemi në komunikim me të trija kompanitë (Pfizer, Astrazeneca dhe Moderna) dhe me shtete mike, pavarësisht se BE ka marrë vendim për Ballkanin se do të jepen teprica. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim të vaksinojmë, sot nuk dua të jap më shumë të dhëna sepse nuk janë të konfirmuara 100%. Mund të jetë më shpejt, por mund të jetë edhe pak më vonë”, u shpreh Rama.

“Të marrësh vaksinën është si radhët e qumështit të kohës së dikurshme. Në vend të banorëve që vinin shishen në radhë, sot janë shtetet”, nënvizoi Rama.