Politika Rama i përgjigjet Metës: Turp ajo që po bëni, do dështoni edhe...

Rama i përgjigjet Metës: Turp ajo që po bëni, do dështoni edhe më keq më 25 Prill

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje Presidentit Ilir Meta pasi ky i fundit tha se sistemi shëndetësor rrezikon kolapsin.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i ekzekutivit thotë se Meta, Kryemadhi, Basha dhe Berisha i kanë varur shpresat tek katastrofa shëndetësore.

Por ai i paralajmëron dhe thotë se do të dështojnë më keq më 25 Prill.

“Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 Prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve”!

Më herët, Presidenti Ilir Meta tha se sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë për shkak të një mungese të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë.

Meta bëri thirrje që të shtohet numri i testimeve dhe të miratohet pa vonesë një plan koordinimi me sistemin privat.