Politika Rama nga Mirdita: Pas 14 majit, Berisha-Meta do justifikohen “na vodhën zgjedhjet”....

Rama nga Mirdita: Pas 14 majit, Berisha-Meta do justifikohen “na vodhën zgjedhjet”. Luli është rehat

Nga Mirdita, kryeministri Edi Rama ka sulmuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Albert Melyshin, duke thënë se nuk ka asnjë program, por kërkon votën e qytetarëve duke thënë se “është djalë i mirë”.

“Ne nuk kemi ardhur këtu për të dhënë nuse por për të thënë që në 14 maj nuk po shkojmë në dasëm e s’po kërkojmë dhëndër por njeriun që do të marrim në punë për 4 vite, që do të vijojë të punojë për Mirditën.

Gjithçka e kisha dëgjuar por kur thotë kandidati jam djalë i mirë, më jepni votën, këtë se kisha dëgjuar. Unë nuk kam motër për të martuar, djalë i mirë të jetë por a është i zoti, a e tërheq karrocën, por mesa shoh unë i paska gjunjët copë. S’dua të merrem se nuk e njoh fare.

Ndonëse tashmë nuk është pjesë aktive e politikës, Rama nuk ka nguruar as të përmendë ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai bëri një krahasim mes tij dhe dyshes Berisha-Meta, ku nuk i ka kursyer ironitë për kundërshtarët e tij. Kreu i qeverisë është i bindur për humbjen e dyshes Meta-Berisha, duke thënë se do të justifikohen “se iu vodhën zgjedhjet”.

“Thonin Rama ik, ik Luli! Do bëhen zgjedhjet në 14 maj, është punë orësh kur të thonë i vodhi, çohuni, Rama ik, po këtë herë do ikin ata përfundimisht. Luli iku po është rehat se është në gjumë, këta nuk do ikin të flenë, këta nuk flenë dot, kanë hesape të tjera, drejtësia vonon po nuk harron, drejtësia ka vonuar sa s’ka më”, shtoi kryeministri.

Ai e mbylli fjalimin e tij duke thurur lavde për kandidatin socialist, Ndrec Dodën duke e konsideruar si “Shalqi me 7 prova”.