Politika Rama për mediat italiane: Presim të vijnë 2-3 mijë afganë

Rama për mediat italiane: Presim të vijnë 2-3 mijë afganë

Kryeministri Edi Rama, duke folur për mediat italiane shpjegoi vendimin për të hapur dyert për rreth 3 mijë refugjatë afganë. “Është historia jonë që na e imponon. Ne kemi parë luftën dhe kemi ende memorie”.

Kështu shprehet kreu i qeverisë shqiptare në intervistën e dhënë për të përditshmen Il Foglio.

“Nëse Europa është e ndarë edhe kur vjen puna tek Afganistani, është sepse nuk mban mend të shkuarën”, thotë Rama, të cilin media italiane e quan “rebelin” e një vendi të vogël si Shqipëria.

Kryeministri shprehet se numri i refugjatëve afganë që pritet të vijnë në vendin tonë, pritet të jetë 2 deri në 3 mijë persona.

I pyetur nëse Europa, e në veçanti Italia duhet të nxjerrë ndonjë mësim, Rama thotë: “Nuk dua t’i jap leksione askujt, aq më tepër Italisë, me të cilën jam shumë i lidhur. Them ama që mikpritja është detyrë e jona. Sepse unë kujtoj atë që ishte për ne shqiptarët.”

“Unë kujtoj luftën, kujtoj Millosheviçin, refugjatët, vdekjen, torturat. Dikur ne shqiptarët ishim për ju njësoj siç ndoshta sot janë afganët, alienë. Memoria përfshin marrjen e përgjegjësisë”, shprehet ndër të tjera Kryeministri Edi Rama për median fqinje.