Kryeministri Edi Rama në takimin e Policisë së Shtetit ka komentuar ngjarjet e fundit kriminale që kanë ndodhur në bregdet. Në një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, Rama tha se rasti i plagosjes së pronarit të një lokali nate në Sarandë ishte për të nisur ndjekje penale për të gjithë policinë e këtij qyteti.
Më tej komentoi dhe muzikën që vijon gjatë natës në qytetet bregdetare, duke thënë se pronarët e lokaleve që nuk zbatojnë urdhrat janë tutorët dhe korruptuesit e policëve.
“Dhe për më tepër sot kur ne jemi tanimë në sezon turistik dhe numri i lartë i pushuesve është domethënës, të kemi policinë përmes individësh të padenjë që t’i shkojnë kundër detyrimit të të gjithëve bashkë për t’i pritur dhe sajdisur të gjithë pushuesit sipas traditës më të mirë shqiptare që pretendon të bëhet kampion i turizmit në Ballkan; mungesë etike, komunikim, implikime në veprime abuzive janë shfaqje të neveritshme që duhen luftuar pa asnjë kompromis dhe me zero tolerancë.
Këtu dua të nënvizoj një fakt që në vetvete është sfidues për ligjin, për shtetin, për Policinë e Shtetit. Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë abuzivizmit që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur aty në lokal. Kush janë këta? Ua them unë.
Këta janë tutorët e policisë së shtetit në ato territore. Këta janë korruptuesit e policisë së shtetit. Këta janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e Policisë së Shtetit që tërheqin për hunde policisë, shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të aktivitetet të tyre të paligjshëm. Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë, jo në hetimet administrative e masa ordinere. Por përjashtimi ndëshkimi penal të personave përgjegjës. Nuk mundëm të ndahemi nga opinioni publik kur Policia e Shtetit, e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie pas mesnatës që mbaron me plumba“, tha Rama.