Aktualitet Raporti SHISH: Shërbimet sekrete kundërshtare interes për stërvitjet ushtarake

Raporti SHISH: Shërbimet sekrete kundërshtare interes për stërvitjet ushtarake

Shërbimi Informativ i Shtetit në raportin për vitin 2021 vë theksin te vendet jo miqësore që kanë pasur interes për stërvitjet ushtarake dhe tentativa për të siguruar informacion të klasifikuar përmes punonjësve të administratës.

Raporti publik i SHISH sjell një pasqyrë të qartë të aktivitetit të spiunazhit dhe kundërspiunazhit në vend.

“Shërbimet sekrete kundërshtare kanë vijuar aktivitetet përmes përdorimit të aktorëve të tyre në rajon, me qëllim pengimin e avancimit në proceset integruese euro-atlantike dhe destabilizimin, duke synuar të sjellin një situatë të brishtë dhe të cenueshme në Ballkanin Perëndimor,” – deklaroi Helidon Bendo, drejtori i SHISH.

Spiunazhi nga vendet e huaja është i prirur të sigurojë informacion për stërvitjet ushtarake në kuadër të Aleancës dhe projektet në fushën e mbrojtjes.

Për të ilustruar këtë SHISH sjell edhe historinë e një diplomati të etiketuar si “Rezidenti” i cili ka joshur përmes të mirave materiale, një punonjës të administratës shqiptare të quajtur “Celësi”, me qëllim sigurimin e informacioneve të klasifikuara.

SHISH ndalet edhe në aspekte të tjera të sigurisë kombëtare.

Në raport thuhet se në vitin 2021 në Shqipëri kaluan tranzit 18 mijë emigrantë të paligjshëm dhe rreziku për infiltirimin mes tyre të operativëve terroristë mbetet prezent.

Në vendin tonë prodhohet Bitcoin, nga subjekte të palicensuara për këtë aktivitet  duke rritur rrezikun e pastrimit të parave

Niveli i kërcënimeve kibernetike është në rritje dhe ato janë shndërruar në një kërcënim ku objekt i sulmeve përgjatë2021 kanë qenë në pjesën dërrmuese bazat e të dhënave.

Anëtarët e grupeve shqiptare të trafikut të drogës kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe me prodhuesit direkt, duke fituar “besimin reciprok”.

Krahas kokainës, SHISH thotë se kultivimi i kanabisit ka vijuar me zhvendosje të zonave dhe evoluim të mënyrave të ndërthurura në ambiente të hapura dhe të mbyllura.