Extra Rihanna, miliarderja më e re “self-made” në Shtetet e Bashkuara

Rihanna, miliarderja më e re “self-made” në Shtetet e Bashkuara

Rihanna është miliarderja më e re në Shtetet e Bashkuara falë suksesit të linjës së saj kozmetike “Fenty Beauty”. Sipas renditjes me të dhënat vjetore të publikuara nga Forbes dhe kushtuar grave që kanë ndërtuar vetë suksesin e tyre, ylli i popit 34-vjeçar është e vetmja nën 40 vjeç në mesin e miliarderëve të Amerikës. Në klasifikimin e përgjithshëm Rihanna zë vendin e 21-të. Një pjesë e pasurisë së saj neto prej 1.4 miliardë dollarësh vjen nga karriera e saj muzikore. Por pjesa më e madhe vjen nga aktivitetet e saj në industrinë e modës, bukurisë dhe kujdesit të lëkurës: Fenty Beauty, Fenty Skin dhe Savage X Fenty.

Bumi i pasurisë personale të këngëtares, i lindur si Robyn Fenty, prej nga vjen emri i linjës së saj të bukurisë, daton në vitin 2017. Në atë vit, në fakt, Rihanna vendosi të lançonte linjën e kozmetikës “Fenty Beauty”, për të dhënë “për të gjitha gratë një ndjenjë përfshirjeje”. Një vit më pas, ylli i popit lançoi markën e të brendshmeve Savage X Fenty, e cila në vitin 2020 mblodhi 115 milionë dollarë fonde dhe arriti një vlerësim prej 1 miliard dollarësh.

Rihanna zotëron 30% të Savage X Fenty dhe gjysmën e Fenty Beauty, e cila gjeneroi të ardhura prej 550 milionë dollarësh në vitin 2020. Gjysma tjetër e kompanisë është në pronësi të gjigantit francez të modës luksoze “LVMH”.