Sport Rivaldo paralajmëron Realin: CR7 nuk është më ai i pari. Messi, sinjale...

Rivaldo paralajmëron Realin: CR7 nuk është më ai i pari. Messi, sinjale rinovimi

Me Laportën janë rritur opsionet që Leo të qëndrojë. Do të ishte fantastike të ribashkohej Messi dhe Cristiano në La Liga, për disa vite më shumë. Së pari, sepse do të ishte emocionuese jo vetëm për klubet e tyre, por për të gjithë tifozët”

Rivaldo, legjenda e Barcelonës, është i qartë se përparësia e Joan Laporta, presidenti i ri i klubit katalanas, duhet të jetë mbajtja e Leo Messi. Përpara nënshkrimit të yjeve, si ato që po përfliten javët e fundit në shtypin sportiv spanjoll, duhet të vijë rinovimi i kapitenit.

“Tani për tani nuk jam shumë i favorshëm për të shpenzuar shumë para për lojtarë të rinj, – vlerëson Rivaldo. – Barcelona duhet të përqendrohet në mbajtjen e yllit të saj, Messi, veçanërisht sepse Laporta e njeh atë shumë mirë dhe mund të ketë argumente shtesë, diçka që presidentët e tjerë të mundshëm nuk e kishin.

Do të ishte në dobi të Barcelonës shumë më tepër të ruajë një simbol si Leo sesa të dalë për të gjetur lojtarë të rinj, të cilët gjithashtu nuk dihet se si do të përshtaten me një klub aq të madh sa Barcelona.

Kohët e fundit po shohim Messin të shfaqet më shpesh se më parë, më shumë, që kur Laporta është kthyer president. Ai madje bëri gjestin e votimit për herë të parë me djalin dhe mori pjesë në prezantimin e Laportës. Të gjitha janë shenja që tregojnë se ai është i hapur për të arritur një marrëveshje me klubin”.

Rivaldo, gjithashtu ishte kumbues në pohimin se pa asnjë dyshim, Ronald Koeman duhet të qëndronte në stolin e Barcelonës, pavarësisht thashethemeve për një interes të mundshëm për trajnerin e RB Leipzig, Nagelsmann: “Do të ishte një gabim dhe diçka shumë e padrejtë për Koeman nëse nuk do të vazhdojë, pasi ka kryer një punë shumë interesante në rrethana shumë të vështira. Gjithashtu, tani që paqja e caktuar e brendshme po mbretëron në klub dhe tendenca është që gjërat po shkojnë drejt përmirësimit, pse duhet të ndryshojë trajneri?!”

Fituesi i “Topit të Artë” më 1999, gjithashtu analizoi kthimin hipotetik të Cristiano Ronaldos te Real Madridi. Rivaldo thotë se ky kthim i mundshëm “do t’i bënte madridasit shumë të lumtur, por gjithashtu do të ishte një rrezik”.

“Ne duhet të pranojmë se CR7, që u largua nga Real Madridi disa vite më parë, nuk është i njëjtë me atë tani. Sigurisht, do të vazhdojë të shënojë shumë gola dhe të bëjë ndryshimin, duke treguar vendosmërinë e tij të jashtëzakonshme në fushë, por mund të ketë luhatje në këtë fazë të karrierës. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, statusi i tij si idhull mund të dëmtohet”.

Sidoqoftë, Rivaldo pranon që kthimi i CR7 në Spanjë do të kishte lajm pozitiv për kthimin e duelit historik me Messin: “Tani, me Laportën janë rritur opsionet që Leo të qëndrojë. Do të ishte fantastike të ribashkohej Messi dhe Cristiano në La Liga, për disa vite më shumë. Së pari, sepse do të ishte emocionuese jo vetëm për klubet e tyre, por për të gjithë tifozët. Përveç kësaj, Spanja mund të rimarrë pak nga madhësia e saj, përpara Premier League, Bundesliga ose Serie A”.