Politika Rrëmbimi i policëve të Kosovës nga Serbia, opozita:  Kuvendi të dalë me...

Rrëmbimi i policëve të Kosovës nga Serbia, opozita:  Kuvendi të dalë me një qëndrim. Rama, një tradhtar si Esat Pasha

Deputeti demokrat Asllan Dogjani ka kërkuar me tone të ashpra gjatë seancës plenare që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim dhe të dënojë veprimet e Serbisë pas rrëmbimit të policëve të Kosovës.

Ai kërkoi që kryeministri Edi Rama të japë shpjegime edhe për draft-propozimin që i ka dërguar Olaf Scholz-it dhe Emmanuel Macron-it për të Asociacionit e Komunave me shumicë serbe.

“Atëherë edhe njëherë unë kam kërkuar në seancën e kërkuar që Kuvendi të mbajë një qëndrim. Situata ka agravuar, forcat speciale serbe janë futur në Kosovë dhe kanë marrë 3 policë peng. Kemi kryeministrin e Shqipërisë i cili sillet si kryetar i OKB-së dhe nuk vjen këtu dhe të japë informacion. Çfarë platforme iu ka dërguar francezëve, gjermanëve për vëllezërit tanë në Kosovë? Prandaj kërkoj të mblidhet komisioni për politikat e jashtme se ju më thatë vetë dakord, në fund të kësaj seance të dalim me një qëndrim dhe të dënojmë sulmet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës. Kjo është ajo që kam kërkuar dhe mos më thuaj dakord, por mblidh komisionin e jashtëm. Flasim kudo nën zë, por nuk ka dalë akoma Kuvendi i Shqipërisë me një qëndrim dhe duhet të dalim patjetër në fund të kësaj seance. Faleminderit”, tha Dogjani.

Ndërsa deputeti demokrat Edmond Spaho ka kërkuar që të bëhet debat në seancë për këtë çështje.

Sipas tij, “thika për ta copëtuar janë prehur” dhe shtoi se ky është një skenar ogurzi. Për Spahon është turp i madh edhe propozimi i Kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Zoti Balla unë mendoj që është turp i madh që Kuvendi i Shqipërisë sot nuk organizon debat për Kosovën e cila gjendet në momentin më të vështirë, më kritik në gjithë historinë e ekzistencës së shtetit kosovar. Thika për ta copëtuar janë prehur dhe ky është një skenar shumë ogurzi dhe po nuk folëm sot kur do flasim? Ju thoni që s’ka nevojë të mblidhemi e të diskutojmë. Por po të them ty sot për shembull, Presidenti i Serbisë, sot ka qenë në ambasadën ruse në Beograd është takuar me ambasadorin rus dhe ambasadoren kineze. Kurse ne dëgjojmë fjalët e tua që kërcen nga një degë në një degë. Është turp i madh që kryeministri i Shqipërisë del dhe bën publike qëndrimet për Kosovën në një kohë kur nuk ka diskutuar për asgjë me udhëheqjen kosovare. Madje nuk ka diskutuar as brenda spektrit politik në Shqipëri sepse ky është një interes përtej politikës. Turp i madh që i anulohet takimi i dy qeverive në Kosovë. Këtë mund ta bëjë vetëm një si Haxhi Qamili ose një tradhtar si Esat Pasha. Dhe e bën për të ruajtur karrigen e vet për t’u thënë aleatëve që jam me ju. Me aleatët do jemi sigurisht, por së pari duhet ta zgjidhim midis nesh. Turp i madh që tre kryeministra shqiptarë në rajon dhe një zëvendës kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe nuk mblidhen një herë të rakordojnë qëndrimin për Kosovën”, tha Spaho.