Aktualitet Sekuestrohen 17 kg heroinë në një kamion që udhëtonte nga Shqipëria drejt...

Sekuestrohen 17 kg heroinë në një kamion që udhëtonte nga Shqipëria drejt Malit të Zi

17 kilogramë heroinë u zbuluan në një kamion me targa shqiptare që ishte nisur drejt Malit të Zi. Policia bën të ditur se kamioni u ndalua fillimisht në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër.

Pas kontrollit që iu në bë vijën e dytë, kamioni u shoqërua në portin e Durrësit për t’iu nënshtruar kontrollit më të specializuar nga task forca që vepron në këtë port. Pikërisht këtu rezultoi se në kamion gjendeshin të fshehura rreth 17 kilogramë heroinë. Droga ishte e mbështjellë me natriban, e ndarë në 34 pako dhe ishte fshehur në serbatorin e kamionit.

Zbulimi i heroinës çoi në arrestimin e shoferit të kamionit. Ai është Sulo Paja, një 55-vjeçar nga qyteti i Vlorës, i cili ka mohuar që të ketë dijeni për praninë e lëndës narkotike në mjet.

Autoritetet hetimore thonë se vijojnë punën për të zbardhur plotësisht këtë rast, për të identifikuar dhe kapur personat e përfshirë në këtë tentativë për trafikimin e drogave të forta.