Aktualitet Sekuestrohen mbi 250 mijë euro në Durrës, në pranga një person

Sekuestrohen mbi 250 mijë euro në Durrës, në pranga një person

Mbi 250 mijë euro janë sekuestruar në Portin e Durrësit. Policia njoftoi se ka vënë në pranga Muhamed Hoxhën, 58 vjeç, shoferi i një furgoni ku kishte fshehur paratë. Po ashtu, policia tha se ka sekuestruar edhe medikamente që po futeshin në vendin tonë pa i deklaruar ato.

“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 4″, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Muhamed Hoxha, 58 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, i cili vinte nga Italia dhe kishte fshehur automjetin e tij, 251 295 euro dhe medikamente, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri, pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi”, njoftoi policia.

Shuma e parave dhe medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.