Aktualitet Shkatërrohet grupi i shqiptarëve në Spanjë. 107 të arrestuar në një megaoperacion...

Shkatërrohet grupi i shqiptarëve në Spanjë. 107 të arrestuar në një megaoperacion antidroge

Një rrjet i krimit të organizuar i përbërë kryesisht nga shqiptarë, të dyshuar se trafikonin drogë është shkatërruar me mbështetjen e Europol. 107 persona u arrestuan më 13 Korrik, në një operacion ku morën pjesë autoritetet të agjencive ligjzbatuese në Spanjë, Gjermani dhe Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Europol, grupi kriminal dyshohet se menaxhonte plantacionet me kanabis në Spanjë, ku i kultivonin dhe i procesonin, përpara se t’i transferonin në vende të tjera të Europës për shpërndarje të mëtejshme.

Ditën e aksionit, në terren u angazhuan rreth 400 oficerë policie që ndërmorën operacione në 42 vende të ndryshme në Spanjë (Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón). Në ditët në vijim u ndërmorën edhe 9 kontrolle të tjera.

Në total, u arrestuan 107 persona, shqiptarë, spanjollë, sllovakë e grekë. U zbuluan 51 fabrika kanabisi, u sekuestruan 25 mijë bimë kanabisi, 70 mijë euro kesh dhe 2 automjete luksoze, një detonator, dy armë zjarri, një bllokues valësh etj.

Sipas Europol, ky grup kriminal ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, më degë që operonin ndërkombëtarisht. Disa prej anëtarëve të arrestuar janë me precedentë në fushën e trafikut të drogës në shtete të ndryshme.

Banda kishte bërë po ashtu ndërhyrje në energjinë elektrike për të kultivuar bimët e kanabisit në ambiente të mbyllura. Përllogaritet se sasia e energjisë elektrike të vjedhur shkon deri në 1.6 milionë Euro.

Tre hetues shqiptarë u zhvendosën në Spanjë për këtë operacion në kuadër të projektit IPA2019, që synon luftimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.