Aktualitet Shpërndanin me taksi drogë në Tiranë, arrestohen dy vëllezërit dhe në 39-vjeçar

Shpërndanin me taksi drogë në Tiranë, arrestohen dy vëllezërit dhe në 39-vjeçar

Policia e Tiranës ka finalizuar sot operacionin e koduar “Barka”, ku është bërë i mundur  arrestimi i tre personave, dy prej të cilëve vëllezër.

Në një njoftim për mediat, autoritetet sqarojnë se  bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative kanë goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Në pranga kanë rënë vëllezërit G. H., 25 vjeç dhe A. H., 20 vjeç. Këta dy persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike kanabis dhe më pas e shisnin atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndë e dyshuar kanabisi, 1 peshore elektronike, fishekë luftarakë, 1 dorezë metalike (përforcues grushti), dy aparate celularë, 1 patentë dhe kartë ID të dyshuara të falsifikuara.

Ndërkohë në pranga ka rënë dh 39-vjeçari me iniciale E. J., i cili merrej me shitje të lëndës narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, duke e kamufluar aktivitetin e tij kriminal, me një mjet taksi që kishte në përdorim. Atij i janë sekuestruar disa doza kokainë dhe një shumë parash.