Bota Kush është kirurgu shqiptar në SHBA që u emërua ministër Shëndetësie në...

Kush është kirurgu shqiptar në SHBA që u emërua ministër Shëndetësie në Kosovë

Kirurgu shqiptar në Amerikë, Rifat Latifi, do të jetë ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë.

Lajmi u dha nga kryeministri Albin Kurti përmes një konferencë për shtyp, i cili tha se Latifi ka ardhur nga SHBA-ja për të marrë detyrën e kreut të shëndetësisë, në këtë moment të vështirë kur e gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Latifi do të zëvendësojë në këtë detyrë Arben Vitinë, i cili hoqi dorë nga drejtimi i ministrisë për shkak se garoi nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prishtinës, por që rezultatet finale e shpallën humbës përballë rivalit të LDK, Përparim Rama.

Rifat Latifi lindi në Kllodernicë të Skënderajt më 1955. Në vitin 1982, i përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe po atë vit emigroi në SHBA.

Specializimin për kirurgji e filloi në Klinikën e Klivlendit, pastaj e vazhdoi në Universitetin e Jelës, ndërsa specializimin e dytë në traumatologji të përgjithshme dhe reanimacion e kreu në Nju-Jork, College of Medicine.

Profesor universitar u bë pas 5 vitesh të mbarimit të specializimit dhe mbajti shumë poste akademike dhe organizative me rëndësi në mjekësinë botërore.

Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër nëpër Amerikë, si Texas, Filadelfia, Nju- Jork, Doha. Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës.

Prof. Latifi ka botuar disa libra për mjekësi (kirurgji, nutricion, laparaskopi dhe telemjekësi), si dhe është autor i mbi 130 artikujve shkencorë. Kontributi i tij është i madh në themelimin e shërbimit të telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri.