Politika SPAK i rrëzoi kërkesën për të marrë pjesë në Parlament, avokatët e...

SPAK i rrëzoi kërkesën për të marrë pjesë në Parlament, avokatët e Berishës ankimojnë vendimin

Pasi SPAK rrëzoi kërkesën e Sali Berishës për leje që të marrë pjesë në seancat plenare, avokatët Sokol Mengjesi dhe Genc Gjokutaj, kanë animuar vendimin.

SPAK tha në vendimin e mospranimit se “e drejta e ushtrimit të profesionit nuk është mbizotërues ndaj masës së sigurimit të caktuar nga Gjykata, atë të arrestit në shtëpi”.

Ata gjithashtu shtojnë se kërkesa për leje nuk ka bazë në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në ligjin penal dhe në këtë mënyrë nuk mund të pranohet.

GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës më 30 Dhjetor dhe ish-kryeministri nuk ishte i pranishëm në seancën e parë parlamentare pas festave të fundvitit, që u zhvillua të hënën (15 Janar).

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.