Kryesore SPAK kontrollon shtëpinë e Ilir Beqajt/ Ish-ministri mohon lidhjet me kompanitë farmaceutike:...

SPAK kontrollon shtëpinë e Ilir Beqajt/ Ish-ministri mohon lidhjet me kompanitë farmaceutike: Nuk kam asnjë interes ekonomik

Një hetim i regjistruar nga SPAK për dyshimet e korrupsionit dhe abuzimit me tendera, ka çuar Byronë Kombëtare të Hetimit të kryejë kontrolle në banesën e ish-ministrit Ilir Beqaj, disa farmaci dhe personave të lidhur me të.

Mësohet se SPAK është duke verifikuar rolin e Beqajt si ministër Shëndetësie në lidhjen e disa kontratave me farmaci në Tiranë, por edhe procedura të tjera.

Gjatë kontrolleve që nisën të enjten dhe vijuan edhe këtë të premte, u sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike, që do t’u nënshtrohen akt-ekspertimeve për të kuptuar nëse mund të ndihmojnë hetimet.

Ndërkohë, ish-ministri Ilir Beqaj është paraqitur edhe ditën e sotme pranë ambienteve të SPAK në respektim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Gjykata e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit.

Beqaj pas daljes nga SPAK ka folur për mediat ku është shprehur se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë interes ekonomik dhe financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët  e tyre. Ish-ministri u shpreh se ende pret që të mësojë fajin që ka bërë.

“Në kohën që kam qenë ministër, por edhe sot nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë interes ekonomik dhe financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh po përballem me këtë çështje dhe jam i hapur ndaj drejtësisë edhe në funksion të veprimeve të djeshme u bë një kontroll në banesën time. Nuk ishte nevoja të thirrja avokatët sepse ato që ka një familje normale u gjetën aty. Siç ju e dini unë çdo të premte paraqitem para hetuesve në një procedurë për çështjen e sterilizimit. Ende pres të kuptoj se kush është faji që kam bërë sepse deri tani nuk ka asnjë provë faji. Sterilizimi është një nga gjërat më të mira që kam bërë, por padyshim në sistemin e drejtësisë edhe unë jam i interesuar të pres vendimin e gjykatës. Sigurisht ato që kanë bërë kontrollin më treguan një vendim gjykate. Besoj se është momenti që njerëzisht dua t’ju uroj Vitin e Ri.”

Ish-ministri ndodhet në masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit pas hetimeve të SPAK për koncesionin 100 milionë dollarë. SPAK thotë se Beqaj ka vijuar procedurat koncensionare pa një studim të mirëfilltë për nevojat e sistemit, si dhe nuk ka shmangur konfliktin e interesit sa kohë nuk ka përjashtuar veten nga procedurat për shkak të njohjeve me biznesmenin që fitoi koncesionin.