Bota Sulmi me dron në Kullën 22, SHBA miraton planin e hakmarrjes. Ja...

Sulmi me dron në Kullën 22, SHBA miraton planin e hakmarrjes. Ja ku do të godasin

SHBA ka miratuar planin për të sulmuar disa shënjestra iraniane në Siri dhe Irak. Sulmet do të zhvillohen gjatë disa ditëve të ndryshme, kjo duke u varur edhe nga kushtet e motit, tha një zyrtar.

Kundërpërgjigja e SHBA-së vjen pasi një sulm me dron vrau tre ushtarë amerikanë në Jordani, pranë kufirit me Sirinë. SHBA-ja akuzoi një grup militant të mbështetur nga Irani në lidhje me këtë ngjarje.

Grupi Rezistenca Islamike në Irak besohet se armatoset, financohet dhe trajnohet nga Garda Revolucionare e Iranit. Ata dyshohet se fshihen pas sulmit të së shtunës në Kullën 22. Nga ana tjetër, Irani ka mohuar të ketë pasur ndonjë rol në ngjarjen që ndër të tjera la edhe 41 trupa të tjerë amerikanë të plagosur.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha gjatë një konference për shtyp se SHBA-ja nuk do ta tolerojë asnjë sulm mbi trupat amerikane.

“Do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara, interesat tona dhe njerëzit tanë”, tha ai.

Zyrtarët që folën për CBS News nuk dhanë asnjë afat kohor për sulmet e mundshme. Ata thanë se ushtria amerikane mund t’i kryejë ata gjatë motit të keq, por preferon që të ketë shikueshmëri më të lartë për të ulur rrezikun e goditjes së civilëve.

Teksa SHBA ka përsëritur se do t’i përgjigjet sulmit me dron, Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të mbrojtjes kanë thënë se Uashingtoni nuk po kërkon një luftë më të gjerë me Iranin apo përshkallëzim të tensioneve në rajon.

“Nuk po kërkoj këtë”, tha Biden për gazetarët.

Disa grupe të ndryshme të mbështetura nga Irani kanë rritur sulmet ndaj SHBA-së dhe subjekteve të lidhura me Izraelin që prej nisjes së luftës me Hamasin më 7 tetor. Për shembull, grupi Houthi në Jemen ka sulmuar anijet në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit. SHBA dhe aleatët e saj i janë kundërpërgjigjur këtyre sulmeve.

Ndërkohë burime të pakonfirmuara thanë për Reuters të enjten se Irani po tërheq nga Siria disa zyrtarë të lartë pas disa sulmeve të Izraelit atje në mënyrë që të shmangë përfshirjen direkte në një konflikt më të gjerë në rajon.

Ndërkohë trupat e tre ushtarëve amerikanë të vrarë në Jordani do të kthehen në atdhe të premten. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se edhe Presidenti Joe Biden do të marrë pjesë në ceremoninë e pritjes në bazën Ajrore të Delaware.