Kosova Sulmi në Zveçan, Kurti: Terroristët përkrahen dhe financohen nga Beogradi

Sulmi në Zveçan, Kurti: Terroristët përkrahen dhe financohen nga Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupi terrorist prej rreth 30 peronave që sulmoi Policinë e Kosovës përkrahet politikisht dhe financiarisht nga Serbia.

Këto komente ai bëri pas vizitës tek familja e Afrim Bunjakut, policit të vrarë në Veri, ku shkoi për t’iu shprehur ngushëllime.

Kurti tha se procesi në vijim do të japë më shumë të dhëna se kush janë këta terroristë, dhe si kanë hyrë në Kosovë, por edhe kush “ka dhënë urdhër”.

“Çfarë kemi mësuar, është që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal që ka planifikuar gjatë këtë sulm. Ata nuk paraqesin një bandë të kontrabandës por një strukturë mercenare që është e përkrahur politikisht e financiarisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se në fshatin Samadraxhë të Komunës së Vushtrrisë, ka takuar gruan e policit të vrarë dhe tre fëmijët e tij, teksa ka shtuar se bashkë me farefisin e tij dhe kolegët e tij ndan pikëllimin për vrasjen e tij.

“Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë ardhur këtu për të bërë nderime për policin e vrarë. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit, në rrugën e vështirë për ligj dhe drejtësi”.