Kryesore Sulmi terrorist me dy të vrarë në Bruksel, Suedia braktis ndeshjen kundër...

Sulmi terrorist me dy të vrarë në Bruksel, Suedia braktis ndeshjen kundër Belgjikës

Ndeshja e hënës në mbrëmje për kualifikueset e Euro 2024 mes Belgjikës dhe Suedisë është braktisur në fund të pjesës së parë. Shkak u bë vrasja e dy tifozëve suedezë në kryeqytetin belg të Brukselit.

Sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, lojtarët e Suedisë e informuan UEFA-n gjatë pushimit të pjesës së parë, se nuk dëshironin të luanin pjesën e dytë. Ekipi belg ra dakord dhe rreth gjysmë ore më vonë ndeshja u deklarua e mbyllur.

Pjesa e parë e lojës ishte mbyllur me rezultatin 1-1.

Belgjika është e kualifikuar në Europian, ndërsa Suedia nuk ka më shpresa për të qenë pjesë e tij.

Të shtënat me armë ndodhën përpara nisjes së takimit, megjithatë mbetet e paqartë nëse viktimat ishin nisur për të parë ndeshjen në stadium.

Zyra federale e prokurorit konfirmoi se po e trajtonin ngjarjen si terrorizëm. Kryeministri belg, teksa konfirmoi se viktimat ishin suedezë, njoftoi ngritjen në nivelet më të larta të kërcënimit terrorist.

Ndërsa media belge Sudinfo raportoi se për ngjarjen e ka marrë përgjegjësinë grupi terrorist ISIS.