Kryesore Sulmi terrorist në veri të Kosovës, Abazoviç: Ndërkombëtarët nuk mund “të lajnë...

Sulmi terrorist në veri të Kosovës, Abazoviç: Ndërkombëtarët nuk mund “të lajnë duart”

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një prononcim për mediat jashtë ambienteve ku po mban punimet Ministeriali i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, foli mbi sulmin terrorist në veri të Kosovës dhe masave që po merren nga ana e BE-ja, dhe jo vetëm, për gjetjen e fajtorëve dhe përgjegjësve të asaj që ndodhi atje.

Sipas Abazoviç, hetimet do të jenë ato që do të tregojnë se cila është e vërteta, dhe sipas tij, në rast se faktet do të tregojnë që është Serbia, atëherë ajo do të mbajë përgjegjësinë e saj.

Por, ai bëri një akuzë të fortë ndaj ndërkombëtarëve, duke thënë se ata nuk mund “të lajnë duart” në lidhje me këtë çështje, pasi sipas Abazoviç, ata janë paralajmëruar prej kohësh për rrezikun që i kanoset nga prezenca e grupimeve dhe njerëzve të rrezikshëm në disa zona në veri të Kosovës.

“Mali i Zi ka një politikë paqësore dhe qeveria dhe shteti jonë ka krijuar një model se si kombësitë e ndryshme mund të jetojnë në harmoni. Hetimi që do të realizohet do tregojë të vërtetën, por dua të them që është e papranueshme kjo që ka ndodhur në veri të Kosovës.

Kushdo që ka krijuar atë konflikti duhet të përgjigjet dhe në rast se është Serbia zyrtare, atëherë kjo do të dalë. Ndërkombëtarët nuk mund të “lajnë duart“ prej kësaj pune, pasi ka pasur shumë paralajmërime nga qeveria e Kosovës se atje ka njerëz të rrezikshëm, të armatosur”, tha Abazoviç.

Pretendimet e Serbisë për territoret në Kosovë

“Mali i Zi ka njohur Kosovën në kufijtë në të cilat janë të pranueshme nga të gjitha shtetet që e kanë bërë të njëjtën gjë”.

Qëndrimi i Ramës për KFOR

“Jam i bindur që ditën e parë që kemi filluar bashkëpunimin me kryeministrin Rama, që veprimet e tij, shkojnë vetëm në drejtim të gjetjes së mënyrës për të pasur paqe dhe progres. Nuk i takoj atyre politikanëve që do të nisë ndonjë kritikë ndaj Edi Ramës, sepse jam i bindur se çdo veprim i tij shkon në drejtim vetëm të bashkëpunimit dhe paqes në rajon”.

Dështimi i nismës së “Ballkanit të Hapur”

“Përgjigjen duhet ta japin ata që e krijuan, ne ishim një shtet që ishim të gatshëm drejt një bashkëpunimi rajonal.”