Aktualitet Të jesh vullnetar në kohën e COVID-19: Historia e vullnetarit shqiptar në...

Të jesh vullnetar në kohën e COVID-19: Historia e vullnetarit shqiptar në urgjencën e Parmës në Itali

Ilir Gjika, vullnetar në urgjencën e Parmës

Mjekët dhe infermierët po sakrifikojnë gjithçka në shërbim të të sëmurëve me COVID-19. Por ka edhe një kategori tjetër që po e bënë këtë dhe mbi të gjitha pa asnjë përfitim.

Ata janë vullnetarët. Edhe pse në kohët e sotme, vullnetarizmi mund të duket si term i harruar, historia e Ilir Gjikës do iu bëjë të ndryshoni mendim.

Ai punon prej dy vitesh në urgjencën e Parmës në Itali, por këto muaj është angazhuar në ndihmë të pacientëve me coronavirus. Gjika tregon për rubrikën Covid Histori në Euronews Albania se oraret e punës janë 12 apo edhe 14 orë.

Ai ndihmon mjekët për të asistuar të sëmurët me coronavirus, bën mjekimet për rastet që po e kalojnë sëmundjen në shtëpi, por edhe ndihmon në transferimin e tyre për në spital. Gjika na tregon se në Parma janë krijuar dy struktura që presin të sëmurët, njëra prej tyre larg qytetit të paktën 20 kilometër.

Disa nga rastet janë më lehtë dhe e kalojnë virusin në kushte shtëpie dhe ekipet mjekësore shkojnë vetëm për t’u bërë mjekimin. Ata që janë më rëndë shtrohen në spitalin e përshtatur në strukturën COVID. Pasi pacientët përmirësohen, ata transferohen në shërbimin jashtë Parmës.

Kjo bëhet për të liruar sa më shumë vende, për të tjerë që mund të preken më rëndë nga corona. Edhe pse në rolin e vullnetarit, i riu shqiptar punon me përkushtim pavarësisht rrezikut që i kanoset. Ai qëndron për një kohë të gjatë brenda ambulancës me të sëmurët, duke qenë kështu i ekspozuar për t`u infektuar.

Megjithatë vullnetari shqiptar nuk mendoi për asnjë moment ta linte misionin e tij në ndihmë të pacientëve edhe pse në një shtet tjetër. Përveç Ilirit, në Parma ka edhe shqiptarë të tjerë që punojnë vullnetarisht në luftën kundër COVID-19, duke treguar edhe njëherë anën tonë më të mirë njerëzore e duke na bërë krenarë./ Euronews Albania