Kryesore Tensionet në Parlament/ Berisha: Shpallëm një grevë të përkohshme, ky është vetëm...

Tensionet në Parlament/ Berisha: Shpallëm një grevë të përkohshme, ky është vetëm fillimi

Sali Berisha në një prononcim për gazetarët thotë se opozita me qëndrimin e saj në seancë plenare, ka shpallur një grevë të përkohshme. Gjatë fjalës së tij, Berisha thotë se beteja e tyre do të vazhdojë derisa opozitës t’i respektohen të drejtat kushtetuese.

Sali Berisha: Ju patë sot reagimin me forma civile të mosbindjes civile dhe një grevë të përkohshme. Protesta është grevë, grevë-protestë në Parlament nga deputetët e opozitës me kërkesën e prerë të rikthimit të të drejtave të tyre kushtetuese. Ne, po e përsëris edhe njëherë, jemi opozita e të drejtave të mohuara si kurrë ndonjëherë në 32 vite. Edi Rama i ka mohuar opozitës kërkesën kushtetuese të firmosur me 35 firma deputetësh për ngritjen e 8 komisioneve hetimore parlamentare. Kjo kërkesë nuk është në vullnetin e pseudomazhorancës. Kjo kërkesë diktohet nga Kushtetuta si detyrim për ngritjen e komisioneve sapo të mblidhen 35 firma apo të firmosë një e katërta e parlamentit. Kjo kërkesë nuk mund të mohohet kurrë. Kjo kërkesë mohohet sepse në epiqendër të këtij hetimi, pa diskutim do vendoset edhe Edi Rama. Nuk mund të pranojë Edi Rama kërkesën për zbatimin e ligjit të konfliktit të interesit, sepse anëtari i familjes së tij, thjeshtra, e cila në çdo kod është anëtar familje, vazhdon prej 7 vitesh të marrë tendera nga sektori publik dhe të pasurohet duke përdorur në këtë mënyrë pushtetin e thjeshtrit. Ligji për konfliktin e interesit përcakton rreth të ngushtë bashkëshorten, bashkëshortin, bashkëjetuesen, bashkëjetuesin dhe fëmijët dhe prindërit e tyre.

Edi Rama nuk mund të lejojë të hetojë konfliktin e interesit, sepse ai ka sarajet e Surrelit në një kohë kur kishte të deklaruara gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë në ILDKP.  Edi Rama nuk mund të pranojë se parku i shtëpisë së tij prej 5 mijë metër katror, ka deklaruar se është blerë me çmime simbolike. Se burimet e ndërtimit të këtyre sarajeve, sipas zonjës Rama janë paratë e librit ‘Kurbanit’. Imagjinoni një libër që pjell saraje me lekët që fiton, sot në botë nuk ekziston. Plus që nuk ka asnjë faturë tatimore që të justifikojë këtë mashtrim publik. Edi Rama deklaron se sarajet e tij kanë origjinë paratë e emigracionit. Nuk ka asnjë faturë, asnjë transfertë bankare të parave të emigracionit të Edi Ramës, që të justifikojë ndërtimin e sarajave. Pra, kemi të bëjmë me shfrytëzim pushteti si kryebashkiak dhe kryeministër për ndërtimin e një parajse në Surrel. E njëjtë është situata me pallatin 5-katësh në sheshin e pallateve. Nuk ekziston asnjë faturë e vetme financiare, bankare, tatimore e çfarëdolloji. Është ndërtuar, thotë zonja Rama, me para gjaku. Nuk besoj se vëllai i saj është marrë me gjak apo gjëra të tilla. Sa implikon vëllain e saj, i them zonjës të tregojë se kush ta ndërtoi dhe si u shpërblye, se nuk e di se vëllai i saj të jetë trafikant apo vrasës serial. Jo, nuk kam dëgjuar.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Berisha ka thënë se deputetët opozitarë janë gati që të sakrifikojnë veten pasi thotë se janë shkelur të drejtat e qytetarëve që i kanë votuar.

Sali Berisha: Kjo ishte grevë. Ne shpallëm një grevë të përkohshme, aq sa do të vazhdonte turpi i Parlamentit. Ne nuk kemi punë me to, por me Ramën dhe Ballën, ai është kriminel më i poshtër se Bajrajt dhe Çelajt. Ne nuk heqim dorë, këta e kanë gabim. Ky është vetëm fillimi. Ne jemi të vendosur të sakrifikojmë veten sepse janë shkelur të drejtat e atyre që përfaqësojmë dhe ne duhet të jemi linja e parë dhe duhet të qëndrojmë. Kjo sakrificë, do të vazhdojnë deri në rikthimin e të drejtave tona kushtetuese.