Kryesore Tërheqja e Alibeajt nga ankimimi për statutin e korrikut 2021, Berisha: “Alibasha”...

Tërheqja e Alibeajt nga ankimimi për statutin e korrikut 2021, Berisha: “Alibasha” tallet me veten e tij

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me vendimin e marrë nga Enkelejd Alibeaj për tërheqjen nga ankimimi për statutin e Korrikut 2021.

Kryedemokrati Berisha tha se “Alibasha tallet me veten e tij” teksa ka argumentuar se në një kohë që seanca gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës së tij për 4 seanca, këtë Berisha e ka quajtur “tallje me veten” referuar Alibeajt.

Kryedemokrati ka shtuar se vendimi i Gjykatës së Tiranës është një vendim i prerë, i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive, por që sipas tij “Rama ka marrë peng gjykatën dhe nuk lejon regjistrimin e tij”.

Pyetje: Ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit, Alibeaj ka vendosur që të tërheqë vendimin për të bashkuar 2 Kuvendet që janë mbajtur nga Basha dhe për t’i dhënë rrugë gjykimit të vetëm që është Kuvendi i 11 Dhjetorit për ta shqyrtuar nëse është i ligjshëm ose jo. Si e komentoni ju këtë vendim?

Sali Berisha: “Alibasha” tallet me veten e tij. Kur dëgjova që “Alibasha” deklaroi se u zvarrit, në një kohë kur ishte avokati i tyre që mungonte katër seanca, ose gjykata përdorte si pretekst se nuk e di si kombinohen me Ramën, kësaj i thonë të tallesh me veten.

Kurse vendimi i Gjykatës së Tiranës është një vendim i prerë, i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive. Rama ka marrë peng gjykatën dhe nuk lejon regjistrimin. “Alibasha”, në asnjë vend të botës, përveç në drejtësinë e Edi Ramës, nuk mund të bëhet palë në një proces që nuk ka qenë palë.

Kjo ndodh për herë të parë në historinë e botës. Është absolutisht i pavlerë. “Alibasha” ka të drejtë, ai dhe çdo qytetar, të shkojë në gjykatën e faktit, dhe për çdo objeksion apo provë, të hapë një proces të ri, por jo të bëhet palë. Kjo ndodh në drejtësinë qesharake të Ramës, që vepron si në diktaturë, që pengon regjistrimin që është automatik dhe i padiskutueshëm të vendimit të gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit.

Duke u tërhequr nga Kuvendi i 18 Dhjetorit, “Alibasha” de facto pranoi Kuvendin e 11 Dhjetorit. Por ai zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ata janë të pavlerë, që keqpërdoren nga një njeri që nuk ka asnjë parim, nuk respekton asnjë parim, asnjë ligj, asnjë normë.