Ekonomi Tërmeti dhe pandemia përgjysmuan turistët gjashtë muajt e parë të vitit në...

Tërmeti dhe pandemia përgjysmuan turistët gjashtë muajt e parë të vitit në Shqipëri

Pasojat e tërmetit dhe pandemia e COVID-19 përgjysmuan numrin e turistëve në Shqipëri gjysmën e parë të vitit 2020.

Sipas një ankete të realizuar nga INSTAT me strukturat mikpritëse, nga janari deri në qershor u raportuan 178 mijë vizitorë nga 402 mijë që ishte raportuar për të njëjtën periudhë vitin e shkuar (reduktim me 55.6%).

Numri i vizitorëve ra me 10.4% tre muajt e parë dhe 75.6% tre muajt e dytë duke reflektuar kështu në turizëm pasojat e rënda të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19 që për Evropën nisi në shkurt.

E njëjta prirje u paraqit edhe në numrin e qëndrimeve në hotele apo bujtina, që ra me 9.4% në tremujorin e parë dhe 76.6% tremujorin e dytë.

Kryesisht zonat më të prekura nga ky reduktim i madh i lëvizjeve për turizëm ishin rajoni qendror dhe verior i Shqipërisë.

Në gjashtë muajt e parë të vitit rajoni qendror u vizitua nga rreth 72 mijë persona. Një vit më parë ky numër ishte 63% më i lartë me rreth 194 mijë vizitorë.

Nga janari deri në qershor në veri pati rreth 30 mijë vizitorë nga rreth 94 mijë që kishte vitin e shkuar. Një reduktim ky me rreth 79% të vizitorëve.

Ndërkohë në jug, ku një vit më parë në këtë periudhë pati rreth 114 mijë vizitorë, gjatë vitit 2020 lëvizën 77 mijë persona, ose thënë ndryshe rreth 32% më pak.

E njëjta prirje shihet edhe në raport me netët e qëndrimit, ose thënë ndryshe akomodimin në hotele, ku goditjen më të rëndë e kanë pësuar zonat jo-bregdetare.

Në këtë periudhë përqindja më e madhe e vizitorëve ka qenë nga Kosova (34%), Italia (15%), Gjermania (8%), Britania e Madhe (5%), Bjellorusia (2%) dhe pjesa tjetër (36%) nga vende të tjera të botës.