Politika Tërmeti në Turqi, gazetari: Në atë zonë ka mbi 90 koka bërthamore...

Tërmeti në Turqi, gazetari: Në atë zonë ka mbi 90 koka bërthamore të SHBA

Adulvehap Ejupi, redaktor në TRT World në Turqi, ka dhënë detaje të tjera pas tërmetit që goditi vendin mëngjesin e së hënës. Ejupi tha për emisionin “Opinion” se zona ku goditi tërmeti është qendër sizmike, por edhe gjeopolitike. Atje janë vendosur mbi 90 koka bërthamore të SHBA-së në kuadër të NATO-s.

“Duhet të kemi parasysh që ajo zonë përveçse është zona më pak e zhvilluar dhe është zona e qendrave të mëdha ushtarake jo vetëm e Turqisë, por edhe NATO-s. Mbi 90 koka bërthamore të SHBA janë të vendosura në atë zonë në kuadër të NATO. Nuk është vetëm qendër sizmike, por edhe gjeopolitike, e cila ka kapacitet të rëndësishëm. Është zona me më pak investime. Është atje ku lufta e Sirisë vazhdon, por ofensivat e SHBA dhe të NATO, vazhdimisht zhvillohen”, u shpreh Ejupi.

Gazetari u shpreh se në total janë 11 zona të prekura nga tërmeti. Ai theksoi se edhe moti është problematik në këtë kohë.

“Përveç borës së madhe dhe shiut të fuqishëm, edhe era të fuqishme, është e tillë që bashkë me tërmetin vërtetë përbën një vështirësi të jashtëzakonshme dhe përbën skena apokaliptike”.

Sipas Ejupit, deri më tani ka 2416 viktima vetëm në Turqi dhe 1300 në Sirinë e Veriut.

“Numri i të lënduarve është mbi 13 mijë, dhe dhjetëra mijëra qëndrojnë brenda gërmadhave”, u shpreh ai.

Sipas redaktorit të TRT World, Turqia i ka kapacitetet për të përballuar situata të tilla, por tërmeti është i përmasave të tilla ku janë prekur mbi 12 milionë banorë.

“Ajo zona, 11 provincat e prekura nga tërmeti përafërsisht ka 12 milionë banorë dhe është jashtëzakonisht e vështirë që të merren nën kontroll që të gjithë. Që të gjithë kanë të paktën 1 anëtar poshtë gërmadhave, apo kanë anëtarë të familjes, miq apo shokë dhe e bën gjendjen edhe më kaotike dhe më të vështirë”, tha ai.