Aktualitet Tritoli në banesën e armiqve të Ervis Martinaj, paralajmërim për klanin Duka?

Tritoli në banesën e armiqve të Ervis Martinaj, paralajmërim për klanin Duka?

Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, banorët e këtij pallati në zonën e Freskut në Tiranë u tronditën nga një shpërthim me tritol.

Lënda plasëse ishte vendosur në derën e një apartamenti në katin e 4, në zonën e Teleferikut.

Në shtëpi nuk kishte njeri. Madje, të zotët e shtëpisë janë larguar dhe nuk jetojnë në këtë banesë prej 4-5 vitesh. E megjithatë, persona të paidentifikuar vendosën eksploziv, duke dëmtuar edhe apartamentet që ndodheshin pranë, e duke frikësuar jo pak banorët.

Apartamenti në fjalë është në pronësi të Muhamet Dukës, babai i Leonard Dukës. E ky i fundit akuzohet për vrasjen Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur në Tiranë në 2019-n. Aktualisht ai ndodhet i arrestuar në Belgjikë, në pritje të procedurave për ekstradim.

Dyshimet e para të grupit hetimor janë se shpërthimi ka qenë paralajmërim për Leonard Dukën. Autoritetet mësohet se kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë e pallat, me shpresën se do të mund të identifikojnë autorët.

Po ashtu, mësohet se familja Duka kishte lënë një person që vinte herë pas here për të kontrolluar banesën. Ndaj dhe pritet që ky i fundit të merret në pyetje, pasi të identifikohet.

Sa i përket bashkëshortëve Duka, ata nuk dihet ku ndodhen.

Qytetarët rrëfejnë pasojat nga shpërthimi i tritolit

Shpërthim i fortë është dëgjuar jo vetëm në pallatin ku ndodhi, por edhe tek pallatet pranë. Si pasojë e shpërthimit ka patur dëme të shumta materiale në banesën e fqinjit që ndodhet ngjitur me apartamentin e Dukës, por edhe banesat e tjera në të njëjtin kat e jo vetëm. Vetë banorët e këtij pallati rrëfejnë tronditjen nga kjo ngjarje, që i ka frikësuar jo pak.

“3 pa 20 të natës ndjemë tronditje të madhe, shumë tronditje e madhe, ishim në gjumë u ngritëm. Ishim të dy bashkëshortët. U ngrit im shoq nëpër shpi vetëm tym dhe errësirë, hapëm dyer dritare. Derën (e jashtme) nuk e hapëm dot, dera ishte çarë siç e shikoni, ishte copë-copë. U ngritën të gjithë fqinjët, fol nga ballkoni, lajmëruam policinë. Erdhi policia, 3, 3 e çerek ka ardhur polica, faleminderit policisë. Erdhi u gjend këtu. Deri në orën 7 ne nuk e hapnim dot derën, sa erdhën ata që hapën derën. Kështu, nuk e dimë nga se erdhi kjo. Muhamet Duka ka shtëpinë aty, atij që i është vënë ajo”, tregon një qytetare.

Një tjetër banor rrëfen se jeton dy kate më poshtë, por dëme ka pësuar edhe shtëpia e tij. Ai tregon se si pasojë e traumës disa banorë të pallatit kanë përfunduar në spital.

“Ja sa ka hyrë dera brenda nga presioni që ka pasur krejt pallati. Unë jam 2 kate më poshtë se ka ndodhur ngjarja edhe ka dëmtime, pale kati aty ku ka ndodh. Aty kanë shpërthyer të gjitha dyert. Shpërthimi ishte i fuqishëm sa disa banorë kanë përfunduar në spital nga trauma, pasoja, tronditjet. Kalamaj të vegjël… Dëmtimet aty ku ka ndodh janë shumë të mëdha, janë shpërthyer të gjitha dyert janë hapur. Nuk e njoh pronarin ku është vendosur tritoli, thuhet që nuk banon njeri aty prej pak kohësh”, shprehet banori.