Aktualitet Bashkohen Rotarianët nga Kosova dhe Shqipëria, formohet një Distrikt i vetëm

Bashkohen Rotarianët nga Kosova dhe Shqipëria, formohet një Distrikt i vetëm

Rotarianët nga Kosova dhe Shqipëria tashmë do të jenë të bashkuar, për të vijuar punën me dedikim si një Distrikt i vetëm. Bordi i Rotary International në takimin e rregullt të muajit Prill, të mbajtur në Evanston, SHBA, mori vendimin final për bashkimin e Rotarianëve nga Kosova dhe Shqipëria në Distriktin Rotary, D-2485.

Kjo është një ditë historike dhe kurorëzim i punës 30 vjeçare të Rotarianëve nga Shqipëria dhe punës 20 vjeçare të Rotarianëve Kosovar.
“Urime për të gjithë Rotarianët, njëherit ftesë për të gjithë liderët në biznes dhe profesion në të gjitha qytetet në Shqipëri dhe Kosovë, që të lajmërohen në Klubin Rotary në qytetin e tyre dhe të bashkohen me organizatën më të madhe shërbyese në botë. Rotary është organizatë e mrekullueshme dhe ne jemi pjesë e kësaj mrekullie. Miq të dashur Rotarian, na priftë e mbara!” thuhet në njoftim.

Ky vendim është përshëndetur edhe nga nismëtarë dhe anëtarët të Rotary në mbarë vendin. “Të nderuar miq rotarianë, Themelimi i Distriktit Shqipëri-Kosovë është ngjarja më e rëndësishme pas krijimit të RC Tirana, dallëndyshes që solli Rotarin në Shqipëri, 31 vjet më parë, më 2 Mars 1992. Çdo klub, çdo individ, ka meritën e vet në këtë arritje historike, e para shoqatë e njohur mbarë botërore që bashkon Shqiperinë dhe Kosovën në të njëjtën hartë, atë rotariane. Krijimi i Distriktit Shqipëri-Kosovë kërkoi përkushtimin, vullnetin, këmbënguljen, sakrificën, mendjekthjelltësinë e të gjithë rotarianëve pa përjashtim. Rotarianët e Klubit të Tiranës, nga ai i ditës së parë deri tek ai i ditës së fundit janë dhe duhet të ndjehen krenar për rolin e madh dhe të patjetërsueshëm të klubit të tyre në këtë fitore të Rotarit shqiptar. Ta gëzoni këtë festë me unitet, përkushtim e vizion për arritje të mëtejshme, të nderuar miq të RCTirana” shprehet Vladimir Pulaj, nismëtar dhe president i parë i RCTirana, anëtar nderi.

Prof. Fisnik Kadiu, kontribuues aktiv dhe anëtar nderi ka përshëndetur këtë ngjarje të rëndësishme. “Krijimi i Distriktit Kosovë-Shqipëri, është një lajm që na gëzon të gjithëve. Me këtë rast dëshiroj të përshëndes të gjithë kontribuesit për këtë lajm që kaherë e kemi dasht dhe ëndërruar.

Në mënyrë të veçantë grupin nisiator të krijimit të Rotary Club Tiranë me 1992 dhe Distriktin Italian, i cili ka luajtur rolin e tij domethënës. Gjithashtu, të gjithë anëtaret e tjerë të klubit që gjatë kësaj periudhe kalimtare kanë kryer me së miri “detyrat” dhe anëtarët Rotarianë të të gjithë klubeve në Kosovë e Shqipëri”, shprehet Kaidu.

Rotary International është një nga organizatat më të mëdha të shërbimit në botë. Misioni i saj është “të ofrojë shërbime për të tjerët, të promovojë integritetin dhe të ketë ndikim në mirëkuptimin botëror, vullnetin e mirë dhe paqen nëpërmjet bashkëpunimit të individëve që janë elitë në shoqëri.

Shqipëria dhe Kosova kanë aktualisht numërojnë mbi 1100 anëtarë në Rotary.