Aktualitet Trupat e gjetur në valixhe, ekspertiza konfirmon që një kufomë është Shpëtim...

Trupat e gjetur në valixhe, ekspertiza konfirmon që një kufomë është Shpëtim Pasho

Dy ditë pas zbulimit të trupave të dy personave të ndara në pjesë dhe të futura në tre valixhe është konfirmuar se një prej kufomave është Shpëtim Pasho. Dyshimet e hetuesve u konfirmuan pas marrjes së shenjave të gishtërinjve të viktimës dhe ekzaminimit të tyre në laborator.

Autoritetet njoftojnë se Pasho është konfirmuar nga analizat, por dhe nga tatuazhi që ai kishte në dorë, një spirancë, mbishkrim Vlora dhe inicialet SH.P. Ndërkohë hetimet po vijojnë për një valixhe të katërt, pasi disa nga gjymtyrët mungojnë.

Hetuesit kanë dyshime të forta dhe kufoma tjetër i përket Teuta Pashos, por për këtë po priten analizat e ADN-së.

Po ashtu deri tani nga hetimet paraprake mësohet se dy viktimat janë dhunuar para se të vriteshin, pasi kanë kocka të thyera dhe hematoma të shumta.

Ata të dy u zhdukën më 2 nëntor 2015 ndërsa ishin në Toskanë, në të njëjtën ditë që djali i tyre u la i lirë nga burgu, pasi kishte vuajtur një dënim për trafik droge.

Prej asaj dite vajza e tyre ka vijuar kërkimet, por nga ta ka marrë vetëm një telefonate ku i është thënë që të mos i kërkonte askush. Dorina Pasho, vajza e tyre tashmë kërkon autorët që fshihen pas vrasjes së dy prindërve të saj, Shpëtim dhe Teuta Pasho.