Bota Ushtria ruse e ka rrethuar Ukrainën në tri anë, CNN: Si mund...

Ushtria ruse e ka rrethuar Ukrainën në tri anë, CNN: Si mund të nisë pushtimi

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën në javët e fundit, sipas vlerësimeve të SHBA-ve, duke rritur kësisoj frikën te zyrtarët perëndimorë të Inteligjencës se pushtimi mund të jetë afër.

Ndërsa po bëhen përpjekje të furishme diplomatike për të shmangur luftën, analistët po paralajmërojnë se ushtria ruse përbën një kërcënim të menjëhershëm për Ukrainën.

Por nëse do të ndodhte një pushtim, nuk është e qartë se ku do të fillonte. Rusia ka krijuar pika presioni në tre anët e Ukrainës, në Krime në Jug, në anën ruse të kufirit të dy vendeve dhe në Bjellorusi në Veri.

Këto janë tri frontet ku është fokusuar vëmendja e Ukrainës dhe Perëndimit, pasi pikërisht në këto pika janë zbuluar lëvizjet e fundit ruse.

Vëmendja më e madhe i është kushtuar rajoneve separatiste Donetsk dhe Luhansk, ku forcat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia kanë qenë në konflikt që nga viti 2014. Pretendimi kryesor i atyre që monitorojnë lëvizjet ruse është se Moska mund të rrisë fuqinë ushtarake që tashmë posedon në rajon, duke e bërë kështu Ukrainën Lindore pozicionin më të lehtë për të nisur një pushtim.

Imazhet satelitore të marra nga CNN tregojnë se një bazë e madhe në Yelnya, e cila mbante tanke ruse, artileri dhe forca të blinduara të tjera, është zbrazur kryesisht, me pajisjet që duket se janë zhvendosur shumë më afër kufirit ditët e fundit.

Sasi të mëdha armatimi u zhvendosën në bazë në fund të vitit 2021, ku përfshihen 700 tanke, automjete luftarake të këmbësorisë dhe lëshues raketash balistike.