Politika Veliaj për protestën para bashkisë: Sulmi politik më nxit për më shumë...

Veliaj për protestën para bashkisë: Sulmi politik më nxit për më shumë punë

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me administratorët e Njësive Administrative të Tiranës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kryebashkiaku Veliaj ka reaguar lidhur me protestën e opozitës të mbajtur ditën e sotme para Bashkisë Tiranë teksa ka thënë se sulmi politik e nxit për më shumë punë.

Më tej, Veliaj është shprehur i bindur se kundërshtarët e tij në politikë do të shkojnë aty ku nuk i pret ëndrra e tyre më e keqe teksa ka shtuar se PS do të fitojë mandatin e radhës në kryeqytet.

Erion Veliaj: Ka pasur vëmendjen më të madhe problemi i shëndetit të organizatës sonë, një organizatë që e ka bërë Tiranën kryeqytetin e rinisë, kryeqytetin e sportit dhe si çdo organizatë me 10 mijë vetë ka problemet e veta. Të përgatitemi për çdo lloj situate. Duhet të pranoj se kur shikoj që drejton protestën Argita me Shkëlzenin përballë Bashkisë së Tiranës për diçka që është ende në hetim dhe kur mendoj se pinjollët e atij që i ka shkaktuar më shumë të zeza këtij vendi, kur thotë Argita me Shkëlzenin, ikni ju që të vijmë ne se me vota nuk kanë për të ardhur ndonjëherë. Kanë shumë kurajo teksa vetë janë me masa sigurie dhe kanë kurajo për një gjë që nuk ka mbaruar akoma hetimi. Të ju lësh atyre ta hedhin në erë bashkinë si Gërdecin, kjo është ku thërret qameti. Kur shikon që bashkohet dhe Ilir Meta me Monikën dhe thonë “ikni ju, të vijmë ne”. Akoma nuk harrohen bëmet e tij. Kur shikon se kanë pirgje me akuza të thonë ikni ju, të vijmë ne.

Këta ndihen shumë keq dhe nuk ju del inati për Astirin dhe për Bulevardin. Këta nuk të lënë të punosh dhe të mendosh se të kërkojnë llogari Shkëlzeni me Argitën me babin në bluzë dhe kur shikon që me vota nuk të kapin dot. Këta e dinë që betejën me njerëzit e kanë të humbur. Ne gatishmërinë për t’u përballur me drejtësinë, e bëmë duke pasur paarsysh njerëzit dhe duke thënë që i kam bërë këto punë me dashuri dhe pasion. Me vota nuk e marrin dot Bashkinë e Tiranës. Po të jetë për këta, njerëzve tek “5 Maji” këta i bllokonin të mos futeshin nëpër shpija. Po të ja linim Tiranën Argitës dhe Zenin, i kishte hedhur në erë ata. Kemi shumë punë të bërë. Tirana është shumë më e madhe se secili prej nesh. Të gjithë bashkë jemi një supër skuadër. Dhe dua që ta dini se jo vetëm që më ka dhënë siguri gjithë ky sulm dhe gjithë kjo diarre mediatike dhe politike, dhe them që edhe më i poshtri i këtyre është më i pasur sot se jeton në Tiranë dhe Argita me gjithë shtëpitë e saj, edhe Zeni dhe Iliri. Ata shajnë përditë dhe pasurohen duke sharë.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Veliaj u ndal dhe tek arrestimet e zyrtarëve të Tiranës, të cilëve ju ka uruar kurajo dhe vërtetësi për ta zgjidhur sfidën me drejtësinë dhe të provojnë pafajësinë e tyre në gjykatë.

Erion Veliaj: Për kolegët që kanë sfida me drejtësinë, uroj që sfidat t’i zgjidhin sa më shpejt dhe që pafajësinë e tyre ta provojnë në gjykatë në një vend që e bën gjyqin para se të flasë gjyqtari. Kolegët tanë nuk fshihen si skutha dhe nuk marrin të gjithë partinë që t’i mbrojë. Dua ta mbajmë kokën lart, të cilin me vendosmëri përpara. Kolegëve tanë ju uroj shumë kurajo dhe vërtetësi për të sqaruar gjithë këto problematika, por qyteti duhet të ecë përpara. Ky qytet ka 1 mijë kantiere të hapura.