Sport “Vetëm ai që ecën mbi ujë ma thyen rekordin”, Haaland vë në...

“Vetëm ai që ecën mbi ujë ma thyen rekordin”, Haaland vë në shënjestër sulmuesin që bënte portierët për aspirina

Erling Haaland dhe William Dean

Erling Haaland tashmë është konfirmuar si lojtari më në formë i sezonit 2022-2023 në Europë. Me golat e tij po udhëheq Manchester City-n në titullin e pestë në gjashtë vitet e fundit, si dhe në realizimin e ëndrrës për të ngritur trofeun e Champions League në “Etihad”.

Gjiganti norvegjez po shkruan gol pas goli emrin e tij në historinë e futbollit anglez dhe europian. Në Premier League, Haaland ka realizuar 34 gola deri tani, duke çimentuar fitoren e titullit të golashënuesit më të mirë të kontinentit.

Të dielën kundër Fulham, 22-vjeçari realizoi golin e 50 këtë sezon në të gjitha kompeticionet e luajtura me City-n (34 në kampionat, 12 në Europë, 3 në Kupën e Anglisë dhe 1 në Kupën e Ligës).

Norvegjezi u bë kështu lojtari me më shumë gola të shënuar në Angli në 92 vitet e fundit, kur Tom “Pongo” Waring shënonte 50 gola për Aston Villa-n në sezonin 1930-31.

Por rekordi i golave të shënuar në një sezon të vetëm është ende larg për ish-sulmuesin e Borussia Dortmund. Ai mbahet nga William “Dixie” Dean, i cili në sezonin 1927-28 shënoi 63 gola për Everton. Nga këto, 60 i realizoi në kampionat, duke ndihmuar skuadrën e tij të shpallej kampion. Por ndërsa rekordi i golave në kampionat është i pamundur, ai i realizuar në të gjitha kompeticionet ka ende një shans.

Haaland i realizoi 50 golat e tij në 44 ndeshje, ndërsa deri në fund të sezonit mund të luajë edhe 10 të tjera, 6 në Premier League, 3 në Champions League dhe 1 në finalen e FA Cup kundër Manchester United.

Kush ishte Dixie?

Ish-trajneri legjendar i Liverpool, e quante si qendërsulmuesin më të mirë të historisë. Ndërsa vetë Dean – i cili ka ndërruar jetë në vitin 1980, i pyetur dikur nga mediat britanike nëse dikush mund ta thyente rekordin e tij, citohej: “Mendoj se ka një burrë që mund ta bëjë, por është ai që do të mund të ecë mbi ujë”.

Shumë më i shkurtër se norvegjezi, Dean mbahet mend në ambientet sportive në Britani si personazh edhe jashtë fushës. Sipas një historie, të thënë nga vetë ai në vitin 1977, në një intervistë për “The Guardian”, para derbit me Liverpool i kishte dërguar portierit kundërshtar Elisha Scott një pako me aspirina dhe një letër ku shkruhej “Fli mirë sonte, sepse nesër do të të ndëshkoj – Billie Dean”.

Dean pretendonte se kishte mësuar të luante futboll me të dy këmbët, duke shkelmuar minjtë teksa punonte me babain e tij në hekurudhë. Një vit para se të regjistronte rekordin e 63 golave për pak sa nuk humbi jetën në një aksident me motor, ku pësoi dëmtime të shumta në fytyrë.

Si krahasohet me Haaland?

Erling Haaland fiton 375 mijë paund në javë, ndërsa Dean paguhej tek Everton vetëm 8 paund në javë në dimër dhe 6 në verë. Everton pagoi 3000 paund për ta blerë nga Tranmere Rovers në vitin 1925, ndërsa City dërgoi 51 milionë paund në arkat e Dortmund.

Dean, legjendë e Everton

Pasi la karrierën, një trombozë detyroi mjekët t’i prisnin këmbën e djathtë dhe vitet e fundit të jetës i kaloi në karrige me rrota. Ndërroi jetë në mars 1980, në moshën 73-vjeçare, pasi ndoqi një derbi Everton-Liverpool në “Goodison Park”.