Bota Vizita e Biden në Europë, avioni i “fundit të botës” e ndjek...

Vizita e Biden në Europë, avioni i “fundit të botës” e ndjek nga pas

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë dërguar në Londër një nga avionët e projektuar për rastet e sulmeve bërthamore, të jetë pjesë e flotës që shoqëron presidentin amerikan, Joe Biden gjatë vizitës 4-ditore në Europë.

Avioni “E4-B Nightwatch” është projektuar të jetë një qendër kontrolli dhe komandimi në rast të një lufte të mundshme bërthamore. SHBA-ja gjithmonë e mban gati një prej këtyre avionëve që të jetë i aftë të fluturojë menjëherë në rast të një lufte të tillë.

Gjatë kësaj jave, një zyrtar i lartë i Kremlinit u shpreh se Moska ka gjithë të drejtën që të përdorë arsenalin e saj bërthamor, nëse kërcënohet ekzistenca e Rusisë.

Avionët e “fundit të botës”, të cilët janë 4, duken të ngjashëm me avionin presidencial, i njohur si Air Force One, por ata janë të pajisur me teknologji të specializuar monitorimi dhe komunikimi.

Një nga avionët – Boeing 747 që hyri në shërbim për herë të parë në vitet 1980 – fluturoi dje drejt bazës ushtarake britanike në Suffolk, pasi ishte furnizuar me karburant në ajër teksa kalonte Atlantikun.

Avioni është projektuar për t’i mbijetuar pulsit elektromagnetik të shkaktuar nga një shpërthim bërthamor dhe për të mbajtur kontakte me njësitë ushtarake amerikane në të gjithë globin për t’iu përgjigjur një sulmi armiqësor.

Avionët, të cilët janë përmirësuar nga viti në vit, janë në gjendje të kalojnë urdhra nga presidenti te nëndetëset bërthamore të SHBA-së dhe kapanonët ICBM të vendit.

Si rezultat, ata janë përshkruar ndryshe si “Pentagoni Fluturues”.