Aktualitet Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, dënohet me 22 vite burg Arbër...

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, dënohet me 22 vite burg Arbër Paplekaj

Pjerin Xhuvani dhe Arbër Paplekaj

22 vjet burg ka dhënë këtë të mërkurë gjykata e Elbasanit për Arbër Paplekajn, për vrasjen e Pjerin Xhuvani pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Vendimi erdhi pas një procesi të gjatë gjyqësor dhe pasi dëshmive të 52 personave. Prokuroria kishte kërkuar 25 vjet heqje lirie për Paplekajn.

Ish-efektivi i RENEA-s, ishte vetë i pranishëm në seancë ku u shoqërua nën masa të rrepta sigurie.

Gjatë seancës për dhënien e pretencës, organi i akuzës kërkoi 25 vite burg për ish-komandon.

Gjykata e Elbasanit ka dënuar me nga një vit shërbim prove dy ish-nën drejtorët e komisariatit të policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi.

Ndërkohë që 6 efektivët e forcave ‘Shqiponja’, Dedion Durakun, Pëllumb Biçakun,  Erion Ballën, Erion Meçjen, Donald Dedjen dhe Besmir Kadiun u dënuan me 8 muaj ‘shërbim prove’.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 21 prill të vitit 2021 në qytetin e Elbasanit. Struktura për mbrojtjen e votës e ngritur nga PD pretendonte se përfaqësues të Partisë Socialiste po blinin vota.

Dy grupet u përplasën me njëra-tjetrën dhe Arbër Paplekaj qëlloi me kallashnikov duke lënë të vdekur Pjerin Xhuvanin dhe u plagosën 4 persona.

Vetë Paplekaj pas ngjarjes deklaroi se qëlloi për vetëmbrojtje.