Aktualitet Vrasja e Santiago Malkos, mbi 30 vite burg për Selmanin e Gacajn

Vrasja e Santiago Malkos, mbi 30 vite burg për Selmanin e Gacajn

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 35 vite burg dy të pandehurit në dosjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko në verën e 2019-s në Tiranë. GJKKO dënoi me 28 vjet burgim për Ilir Selmanin.

Ndërsa 7 vite burgim gjykata dënoi Elvis Gaçajn. Ndaj tij janë ngritur akuzat e armëmbajtjes pa leje në disa raste dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Ndërsa Selmani akuzohet për bashkëpunim në vrasjen e ish efektivit. Më herët për këtë ngjarje, si bashkëpunëtor në vrasje është dënuar edhe shtetasi Blendi Teta.

Kush është Elvis Gacaj?

Elvis Gacaj u arrestua në tetor të 2019-s nga Policia e Durrësit. Ai fillimisht i ka bërë rezistencë Policisë duke i ikur disa postblloqeve. Në momentin e arrestimit ai ka qenë edhe i armatosur me një armë pa leje.

Emri i tij nuk është i panjohur për autoritetet. Në prill të vitit 2018 ai bashkë me persona të tjerë u arrestuan në afërsi të shkollës “Partizani” në Tiranë. Policia në atë kohë tha se ata po  bëheshin gati të kryenin një atentat, pasi u kapën me një pistoletë pa leje. Por nuk dihet se si ata kanë arritur t’i shpëtojnë drejtësisë.

Në vitin 2015 ai ishte objektiv i një atentati te “Lulishte 1 Maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai vetë u plagos. Elvis Gaçaj akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.

44-vjeçari u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv. Gjithashtu i arrestuari mbrëmjen e së martës në Durrës akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.

Ai ishte një prej tetë personave të shpallur në kërkim për këtë vrasje dhe dyshohet se ka qenë tepër aktiv në vrasjen e ish-efektivit të Policisë Malko. Në burg për këtë vrasje vazhdon të mbetet Belndi Teta, për të cilin Prokuroria ka kërkuar ndryshimin e akuzës nga “pengim i zbardhjes së të vërtetës” në “përfshirje në vrasje”.

Kush është Ilir Selmani?

Ndërkohë, Ilir Selmani u arrestua në prill të vitit 2020, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Santiago Malkos. I dyshuar dhe si i përfshirë në klanin “Duka”, Selmani ra në prangat e policisë në afërsi të maternitetit “Koço Glizoheni”.

Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Malkos, pasi u kap nga disa kamera sigurie teksa mblidhte mbeturina dhe i hidhte në një kosh pranë vendngjarjes.

Kujtojmë se personat e përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos janë: Leonard Duka, 33 vjeç; Erlis Duka, 29 vjeç; Ilir Selmani, 34 vjeç; Oltian Loga, 38 vjeç; Dritan Agaj, 38 vjeç; Fatmir Hyseni Musai, 42 vjeç Aleksandër Maxhaku, 37 vjeç; Xhoni Nica, 24 vjeç.