Kryesore Yuri Kim-kandidatëve të Berishës: Çfarë po u premtoni votuesve?

Yuri Kim-kandidatëve të Berishës: Çfarë po u premtoni votuesve?

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim iu është drejtuar me një pyetje kandidatëve të Sali Berishës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit

Kim pyeti kandidatët se si mund të marrin pjesë në një fushatë, kur sponsorizohen nga Berisha, të cilin Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar hyrjen në vendin e tyre, pasi e akuzojnë për korrupsion dhe minim të demokracisë

“Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, shkruan ajo në një postim në Twitter.

Që prej shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, Berisha e ka sulmuar disa herë ambasadoren amerikane, duke e quajtur mbështetëse të qeverisë Rama dhe me një sjellje si të ambasadorit të Bashkimit Sovjetik dikur në Shqipëri.