Aktualitet Zbardhet ngjarja në Tiranë: I vdiq nga mbidoza në shtëpi, shoku e...

Zbardhet ngjarja në Tiranë: I vdiq nga mbidoza në shtëpi, shoku e hodhi trupin në përrua

Detaje të reja kanë dalë për vdekjen e 48-vjeçarit Elton Tahiri i cili u gjet i pajetë disa ditë më parë në afërsi të përroit të Limuthit në fshatin Bërxullë.

Pas hetimeve, policia ka vënë në pranga dhe një 47 vjeçar, shok me viktimën, i cili ka qenë me të në momentin që ai ndërroi jetë.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Zbardhet shkaku i vdekjes së 48-vjeçarit që u gjet i pajetë në datën 13.02.2023, në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 48-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar droga të forta, bashkë me shokun e tij, në banesën e këtij të fundit.

Vihet në pranga shtetasi M. H (shoku i 48-vjeçarit), pasi nuk kallëzoi në Polici, për ngjarjen, dhe transportoi trupin e pajetë të shokut të tij, nga banesa në afërsi të përroit të Limuthit.

Sekuestrohen sende që dyshohet se janë përdorur nga këta shtetas, për konsumimin e lëndëve narkotike, në banesë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e trupit të pajetë të 48-vjeçarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë, pas ngjarjes së ndodhur në datën 13.02.2023, në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë, ku u gjet një kufomë e seksit mashkull, më një dokument identifikimi me gjeneralitetet Elton Tahiri, 48 vjeç, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Elton Tahiri, 48 vjeç ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar lëndë narkotike kokainë dhe heroinë, bashkë me shokun e tij, shtetasin M. H, 47 vjeç, në banesën e këtij të fundit.

Më pas dyshohet se shtetasi M. H e ka transportuar me automjet dhe e ka lënë trupin e pajetë të 48-vjeçarit, në afërsi të përroit të Limuthit, në fshatin Bërxull, Tiranë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. H, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë përdorur për konsumimin e lëndëve narkotike dhe automjeti i përdorur nga shtetasi M. H, për transportimin e trupit të pajetë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.