Kuriozitete Zbulohet në Nju Jorku pylli më i vjetër në botë

Zbulohet në Nju Jorku pylli më i vjetër në botë

Gjurmët ende të qarta të atij që shkencëtarët mendojnë të jetë pylli më i vjetër në histori janë zbuluar pak kohë më parë jo larg nga qyteti i Nju Jorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjurmët e qarta të trungjeve dhe veçanërisht rrënjëve të dy specieve tashmë të zhdukura u zbuluan nga hulumtuesit e Universitetit të Bingamton.

Pylli sipas përllogaritjeve ka ekzistuar rreth 386 milion vitesh më parë, shumë para se krijesa si dinozaurët të vinin në jetë.

Sipas shkencëtarëve pylli nuk ishte i dendur, karakteristikë kjo që do të vinte shumë miliona vite më vonë, dhe përbëhej në pjesën më të madhe nga pemë të gjinisë Archaeopteris, e ngjashme deri diku me pishat.

Rrënjët e këtyre pemëve, që ishin të larta rreth 20 metra, janë ende të dukshme nga lart, të gjata më shumë se 11 metra.

Zbulimi, i cilësuar si shumë i rëndësishëm, ka ndodhur në një zonë që prej vitesh përdorej si gurore në afërsi të qytezës së Cairo, rreth 100 kilometra nga Nju Jorku.