Aktualitet Zgjerohet harta e përmbytjeve në Bashkinë Shkodër, 1000 ha tokë nën ujë

Zgjerohet harta e përmbytjeve në Bashkinë Shkodër, 1000 ha tokë nën ujë

Reshjet e dendura të shiut kanë zgjeruar hartën e përmbytjeve në Bashkinë Shkodër.

Ditën e djeshme sipërfaqja e përmbytur ka qenë 600 hektarë, ndërsa mëngjesin e sotëm përmbytjet kanë marrë më shumë “terren” duke mbuluar nën ujë 1 000 hektarë tokë.

Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallëkut) shënon kuotën 6.20 metra (kuota maksimale 7.50 metra)

Niveli i liqenit (hidrometri ura e Bunës) shënon 7.85 metra me një rritje prej 23 centimetrash me orën 19:00 të datës 18.01.2023 (kuota maksimale 8.70 metra).

Në Njësinë Administrative Dajç, fshatrat Mushan,Shirq,Suka Dajç janë pa energji elektrike. Pjesa më e madhe e Njësisë Administrative Velipojë është pa energji elektrike.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata paraqitet më problematike pasi sipërfaqja e përmbytur është 1000 hektarë, ka rritje me 600 hektarë nga ora 19:00 e datës 18.01.2023. Rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Ndërsa fshati Obot është pa energji elektrike. Raportohet se ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.