Aktualitet Zjarri në Patos jashtë kontrollit, digjet nënstacioni elektrik

Zjarri në Patos jashtë kontrollit, digjet nënstacioni elektrik

Dy vatra zjarri që kanë qenë aktive prej pasdites në fshatrat Margëlliç të Fierit dhe Ofiçinë të Patosit kanë marrë përmasa të mëdha gjatë orëve të mbrëmjes, duke vendosur në rrezik zonat e banuara.

Në fshatin Ofiçinë raportohet se zjarri ka dalë jashtë kontrollit pas djegies së mbeturinave dhe po vijon përhapjen e tij në një sipërfaqe të konsiderueshme.

Në vendngjarje për neutralizimin e flakëve ndodhen mjetet zjarrfikëse, shërbimet e policisë Fier dhe disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë.

Deri tani është shkrumbuar nga flakët një sipërfaqe e konsiderueshme me ullinj dhe pemë frutore, ndërkohë që në prangat e policisë ka rënë dhe autori i zjarrvënies.

“U shoqërua dhe po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore procedurale për arrestimin e shtetasit H. L., 72 vjeç, i cili ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj dhe pemë të ndryshme në fshatin Ofiçinë”, njoftoi policia.

Banorët e zonës të alarmuar nga kjo situatë pohojnë se ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur largimin e rrezikut nga banesat dhe puset e naftës, ndërkohë që është përfshirë nga flakët nënstacioni elektrik që mundëson furnizimin me energji të qytetit të Patosit.

Për këtë arsye OSHE ka njoftuar se është detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie.

Situata sakaq mbetet tepër kritike në fshatin Margëlliç, aty ka vatra e zjarrit u shfaq fillimisht në vendin e quajtur “Menca 3” përbri kodrës. Era e forte ka favorizuar përhapjen me shpejtësi të flakëve duke rrezikuar banesa dhe një depozitë gazi.

Për situatën e krijuar me zjarret ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili shkruan në një postim në rrjetet sociale se në Margëlliçc përveç forcave zjarrfikëse të qarkut Fier, janë nisur edhe automjete nga Vlora, Berati dhe Lushnja.

“Po ndjekim situatën në Bashkinë Patos, fshati Margëlliç, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha. Forcat zjarrëfikëse të Patosit, Roskovecit, Fierit, kompanisë Albpetrol po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur zonat e banuara, ndërsa janë nisur forca edhe nga Lushnja, Vlora dhe Berati. Policia e Shtetit ka dërguar efektivë të shumtë të FNSH, ndërsa ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie”, tha ministri Balla.