Bota Bosi i Cosa Nostra-s bie në koma të pakthyeshme

Bosi i Cosa Nostra-s bie në koma të pakthyeshme

Matteo Messina Denaro ndodhet në koma të pakthyeshme. Bosi i Cosa Nostra, i cili u arrestua në janar pas 30 vjetësh në arrati, vuan prej vitesh nga kanceri në zorrë. Sipas mediave italiane, mjekët shprehen se ai nuk ka më shpresa për t’u rikuperuar. Po ashtu, me kërkesë të vetë 61-vjeçarit, mjekët i kanë hequr aparaturat që e mbajnë në jetë.

Në fillim të muajit gusht, Messina Denaro iu nënshtrua një ndërhyrje në zorrë në spitalin San Salvatore të Aquila-s. E teksa operacioni ishte i suksesshëm, avancimi i kancerit çoi në përkeqësimin e pakthyeshëm të shëndetit të tij. Sipas asaj që shkruan ANSA, të premten Messina Denaro pësoi hemorragji dhe pak kohë më pas ra në koma të pakthyeshme.

Messina Denaro u zhduk në vitin 1993 dhe prej 3 dekadash ishte një prej njerëzve më të kërkuar në Itali. Ai u arrestua në Janar në një klinikë private në Palermo ku shkonte për të trajtuar kancerin, nën identitet të rremë.

Kreu i Cosa Nostra-s është dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tij në një seri vrasjesh mafioze dhe sulme me bombë në Itali. Në mesin e krimeve është vrasja e prokurorëve të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, në 1992-n. Përveç atentateve ai akuzohet po ashtu si i përfshirë në sulmet mafioze në Romë, Milano dhe Firence në 1993, nga ku mbetën të vrarë në total 10 persona.

Messina Denaro konsiderohej si bashkëpunëtor i ngushtë i bosëve të mafias, Bernardo Provenzano dhe Salvatore “Toto” Riina.