Aktualitet Zjarri në Sarajet e Toptanëve, Veliaj: Ta harrojnë ndërtimin, do të rikonstruktohet...

Zjarri në Sarajet e Toptanëve, Veliaj: Ta harrojnë ndërtimin, do të rikonstruktohet dhe do të hapet për publikun

Pak para mesnatës së djeshme zjarri ka përfshirë një nga ndërtesat historike në qendër të Tiranës. Bëhet fjalë për Sarajet e Toptanëve, të cilat janë mbuluar nga flakët.

Sipas Policisë ka dëmi ka vetëm dëme materiale, ndërsa mendohet që zjarri ka qenë i qëllimshëm. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, sipas të cilit zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin që largohet me vrap pasi i vuri flakët.

Në një postim në Facebook, Veliaj thotë se ka biseduar me kryeministrin Rama për shpronësimin e përshpejtuar, pasi aty bëhet fjalë për 18 pronarë, ndërsa premton që aty nuk do të ketë ndërtim, por rikonstruksion dhe do të jetë e hapur për publikun.

Postimi i Erjon Veliajt në Facebook:

“Mbrëmë, në orën 23:49, Policia Bashkiake, pranë AMK, po, ata që sulmonte presidenti, kanë njoftuar sallën operative për zjarrvënie pranë monumentit të kulturës, të njohur gjerësisht si ‘Sarajet’.

Në pak minuta, zjarrfikësit e Bashkisë së Tiranës kanë shuar zjarrin e qëllimtë në 2 vatra.

Në dallim nga shumë objekte, për të cilat bëhet zhurmë pa lidhje, si lodrat te Liqeni apo ngrehina e tallashit te Teatri Kombëtar, objekti ‘Sarajet’ është monument kulture.

Dje, nën stilin e shkollës “Kosova”, u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme, që pronarët të ndalojnë shpronësimin.

Kamerat e sigurisë kanë kapur zjarrvënësin teksa largohet përballë ‘Torre Drin’, ndërkohë Policia e Shtetit po punon për ta çuar në pranga. Por, zjarrvënësit e vërtetë janë porositësit – edhe për këta nuk do ketë mëshirë! Politikanë që ditën merakosen për lodrat, e natën i vënë zjarrin qytetit.

Në mesnatë bisedova me Kryeministrin Edi Rama, i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar për ‘Sarajet’, si një nga aktet e para të qeverisë së re. Ta harrojnë që aty do ketë ndërtim, e ta harrojnë që aty do ketë zjarr gjersa të bëhet shpronësimi. Nga sot ka nisur regjimi 24h roje!

Ngjarjet do rrjedhin si me poshtë:

1- Shpronësim për 18 pronarët (jo të gjithë janë politikanë piromanë).

2- Shpallja “Shtëpi Muze”, si shtëpia e Zekatëve dhe Skëndulatëve në Gjirokastër.

3- Rikonstruksion dhe hapje për publikun.

Mirënjohje zjarrfikësve dhe policisë për mbrëmë!”